Ndërsa shumë prindër dhe nxënës në Shtetet e Bashkuara presin me padurim kthimin e mësimit nëpër klasa, një kompani robotike mendon se ka përgjigjen e duhur, që mund të ndihmojë në hapjen e shkollave. Ajo thotë se robotët e saj me rreze ultra-vjollcë mund të dezinfektojnë klasat dhe mjediset e përbashkëta nëpër shkolla.

Kompania robotike UBTECH (jobitek) me qendër në Kinë prodhon dy variante robotësh ADIBOT. I një madhësie mesatare, njëri model shtyhet mbi rrota nga një punonjës sanitar i shkollës. Modeli tjetër është autonom dhe i pajisur me sensorë dhe lëviz në mënyrë të pavarur për të dezinfektuar mjediset. Kompania thotë se rrezet ultra-vjollcë të lëshuara nga robotët çaktivizojnë strukturën e virusit me një efikasitet 99.9%.

Dy shkolla në shtetin Delauer (Delaware) u pajisën me katër robotë si pjesë e një projekti pilot për të vlerësuar koston dhe normat e dezinfektimit dhe për të mundësuar që vetë shkollat të sugjerojnë përmirësime tek robotët. Dan Shelton, drejtuesi më i lartë i arsimit për distriktin shkollor Christina, tha se robotët ishin pjesë e disa strategjive të shqyrtuara për t’i bërë shkollat sa më të sigurta që ishte e mundur.

“Duhet të kemi siguri. Nëse nuk ndjehesh i sigurtë në shkollë, nuk do të jesh në gjendje të përqendrohesh tek mësimdhënia dhe të mësuarit.”

Gjatë provave dy javore, dy nxënës u supozuan se kishin rezultuar të infektuar me koronavirus. Shkolla përdori robotët për të dezinfektuar klasat dhe mjediset e përbashkëta ku kishin qënë nxënësit.

“Punonjësit e shkollës që u desh të futeshin në klasa menjëherë pas pastrimit ndjeheshin më të sigurt. Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë që mjediset ku zbulohet virusi të qëndrojnë të izoluara nga 24 deri 48 orë. Por kjo teknologji mundëson që klasa të bëhet e sigurt pothuajse menjëherë pasi të jetë pastruar me rreze ultra-vjollcë”, thotë James Simmons me Departamentin e Arsimit në Delauer.

Rrezet ultra-vjollcë mund të jenë të dëmshme për njerëzit. Jashtë dhomës ku pastrojnë robotët vihet një pajisje paralajmëruese e cila e ndalon punën e robotit nëse zbulon ndonjë lëvizje. Vetë roboti është i pajisur me kamera dhe sensorë për të zbuluar praninë e njerëzve në mjediset ku punon. Në rast të zbulimit të lëvizjeve, robotët ndërpresin rrezet ultra-vjollcë.

“Është praktikisht e pamundur që dikush të jetë në dhomën ku makina është në punë”, tha John Rhee me kompaninë UBTECH. Roboti autonom kushton 40 mijë dollarë ndërsa makineria që kontrollohet nga njeriu kushton 20 mijë dollarë. Departamenti i Arsimit në Delauer ende nuk ka marrë vendim për të blerë robotët, ndërsa projekti pilot ka përfunduar.