Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 dhe veçanërisht të rasteve me variantin e ri, ka bërë që Greqia të marrë masa të reja kufizuese. Një pjesë e madhe e qyteteve nisur nga dita e sotme do të fillojnë shtetrrethim të ngjashëm me atë të muajit Mars.

Masat e reja do të hynë në fuqi në Atikë, Selanik dhe Halkidiki dhe konsistojnë në një ndalim të lëvizjes nga ora 6 pasdite deri në orën 5 të mëngjesit gjatë fundjavave si edhe mbyllje të një pjesë të madhe të bizneseve.

Bizneset e vetme që lejohen të operojnë do të jenë supermarketet, furrat e bukës, pikat e karburantit dhe farmacitë, ndërkohë shkollat ​​do të vazhdojnë të funksionojnë me mësimin në distancë. Masa të ngjashme hyjnë në fuqi edhe në Patra, Halkida, Agios Nikolaos, Mykonos dhe Santorini.

Parukeritë dhe qendrat e bukurisë, autoshkollat(KTEO), agjencitë e basteve OPAP dhe gjykatat nuk do të lejohen të veprojnë. Shkollat ​​dhe çerdhet gjithashtu do të mbesin të mbyllura. Për më tepër, që nga e Shtuna, hyrja dhe dalja nga këto komuna do të lejohet vetëm për qëllime pune, ndërsa aktiviteti i ndërtimit pezullohet për pesë ditët e ardhshme. Megjithatë masat e reja nuk kanë kaluar pa diskutime të shumta mes ekspertëve të cilët e kanë parë si të panevojshëm mbylljen e shkollave në disa zona.