Shkolla e re “Murat Toptani” në Selitë, Tiranë do të jetë gati të mirëpresë nxënësit e saj dhe mësuesit në fund të muajit mars. Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen për ndërtimin e shkollës, e cila ka vetëm 40 ditë që ka nisur të ngrihet dhe Bashkia parashikon që ajo të jetë gati në fund të muajit mars. “Shkolla nëntëvjeçare “Murat Toptani”, po rilind më e madhe dhe padiskutim shumë më e bukur, pas shembjes nga tërmeti të ngrehinës së vjetër”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri të ditur se në shkollën e re do të mësojnë 360 nxënës duke iu përgjigjur rritjes demografike të zonës, ndërsa në shkollën e vjetër akomodoheshin vetëm 120 nxënës. Shkolla është e konceptuar me tre kate, palestër dhe laboratorë, ndërsa parashikohen edhe klasat për 30 parashkollorë. Po ashtu, Veliaj informoi se punimet e shkollës po shoqërohen edhe me ndërtimin e infrastrukturës përreth. “Deri në fund të marsit do të ketë mbaruar shkolla dhe nxënësit do të mund të transferohen për të zhvilluar mësimin këtu”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë theksoi se është parashikuar që palestra të jetë e hapur për komunitetin, pasi nuk ka asnjë terren tjetër sportiv në këtë zonë.