Nga Klareta Çumani, Vitjon Nina
Triada politike PS-PD-LSI do të garojë në tre fronte të ndryshme më 25 prill. Kjo do të jetë hera e parë që prej zgjedhjeve të vitit 2009, që Lëvizja Socialiste për Integrim garon më vete, pa qenë pjesë e një koalicioni. Prej asaj kohe shumë ka ndryshuar. LSI-ja merrte vetëm katër mandate në 2009-ën, por ato ishin përcaktuese për të zgjedhur qeverinë Berisha 2. Dy zgjedhjet e ardhshme, një kah Partisë Socialiste dhe tjetra kah Partisë Demokratike, shënuan ngritjen e LSI-së, në nivele deri 19 mandate parlamentare. Akuzat mbi socialistët e qendrës kanë qenë të shpeshta, mbi përfitimin e madh të numrave që kanë pasur falë aleancave. Por, nëse në 2021-shin do të kishim të njëjtat shifra zgjedhore të 2017-ës, por pa koalicione parazgjedhore, si do të ishte shpërndarja e mandateve?
Sipas analizës, ndryshimet do të ishin të dukshme. Së pari, duhet kuptuar dinamika e re e shpërndarjes së mandateve. Dibrës dhe Gjirokastrës i ikën nga një mandat për shkak të ndryshimeve demografike. Të dy këto mandate, i shtohen Tiranës. Përkatësisht, Dibra shkon në pesë mandate, Gjirokastra në katër dhe Tirana në 36. Tërësia e votave do të prodhonte një shtim të PS-së dhe PD-së. LSI-ja do të humbiste gjashtë mandate nga ana tjetër. Në kushtet e një votimi identik me atë të 2017-ës, socialistët do të kishin 77 mandate dhe demokratët 49. LSI-ja do të ishte në 13 dhe Tom Doshi do të ruante mandatin social-demokrat në Shkodër, për të plotësuar 140-shen. Për shkak të aleancës me PD-në, socialistët për integrim humbin ndaj aleatëve mandate që i kanë përfituar pikërisht prej qenies në koalicion. Gjashtë qarqet ku humbet LSI-ja janë: Tirana, Fieri, Elbasani, Durrësi, Berati dhe Dibra. Kjo e fundit gjithsesi, shumë e diskutueshme për shkak të diferencës minimale të votave. Demokratët, nga ana tjetër, rriten jo vetëm për shkak të përftimit të disa mandateve të LSI-së, por edhe për shkak se do të merrnin tre mandate të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Këta të fundit janë tashmë pjesë e listës së demokratëve. Gjithsesi, duhet theksuar se PDIU-ja, ka marrë dy mandate, në Dibër dhe Elbasan, falë dy kandidatëve individualë: Reme Lala dhe Aqif Rakipi. Të dy këta bashkuan votat me PS-në menjëherë pas zgjedhjes së tyre. E vërtetë është edhe se PDIU-së, nëse do të ishte në koalicion, do t’i shtohej një mandat në Tiranë. Për shkak të pragut zgjedhor rajonal të lartë, kjo e fundit nuk arriti të prodhonte deputetë, pavarësisht 12 mijë e 434 votave kryeqytetase.
Si do të ishte projeksioni real? Nëse marrim në konsideratë edhe mandatet individuale, situata do të ishte disi më e ndryshme. Socialistëve do t’u kalonin automatikisht dy mandate të PDIU-së, duke i çuar në 79. PD-ja do të kalonte kështu në 47. Bazuar në shifra, mandati gjirokastrit i LSI-së, do të varej nga një grusht votash. Kjo, për shkak se qarkut i ikën automatikisht një deputet dhe ndryshoret janë të vogla. E njëjta gjë do të ndodhte edhe me mandatin e Dibrës, i cili është në fije të perit. I sigurt është fakti se në skenarin më të mirë, LSI-ja do të kishte 13 mandate. Mundësia do të ishte e hapur që me të njëjtat vota, të shkonte deri në 11. Ky do të ishte një ndryshim prej 8 mandatesh nga sa morën socialistët e qendrës konkretisht në 2017-ën. Por kjo analizë nuk e saktëson si do të jetë qasja e votës së 25 prillit. Sipas sondazheve – të gjithëve – LSI-ja pëson rënie drastike në shumicën e qarqeve. Nëse perceptimi është i drejtë, rrezikon që forca e majtë e qendrës të marrë një shumë mandatesh një shifrore – potencialisht deri në gjashtë. Ndërsa çfarë duket më e paparashikueshme, është grumbullimi i votave drejt poleve. Me një logjikë të tillë, do të duhej që PD-ja të merrte 65 mandate për të krijuar qeverinë me marrëveshje pas-zgjedhore PD-LSI. Kjo do të kërkonte një shtim prej 22 mandatesh të demokratëve. Më saktë, një fryrje tërësore me rreth dhjetë mandate opozitare.
Vetëm kutitë e votimit do të reflektojnë fuqinë e vërtetë të lëvizjeve të bëra. Lëvizje njëpolare, ndaj një koalicioni bipolar, për të çuar vendin drejt zgjedhjeve tripolare. Zgjedhje, që mund të shënojnë fatin e të tre dekadentëve kryesorë politikë shqiptarë. (albanianpost)