Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, vijojnë pandërprerë inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, ku vetëm gjatë ditës së sotme kryen 443 inspektime dhe monitorime. Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 28 masa me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit DDD si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit.
Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 12 mostra në monitorim të produkteve ushqimore. Gjithashtu me kërkesë të vetë subjektit, u krye procedura e asgjësimit të 19.136 tonë produkte ushqimore. Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të Taskforcës antiCOVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 213 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë monitorimit në subjekte, u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit, si dhe këshillimi i përfaqësuesve të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve.