Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet për Parlamentin, njëherazi drejtuesja politike e PS-së për Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali ka inspektuar ditën e sotme nisjen e punimeve në rrugën “Pekin” në bashkinë e Kamzës.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, ministrja shprehet se “Rruga “Pekin”, një nga shumë rrugët që çeta e vjetër e bashkisë i pagëzoi, por i la rrugëve si mos o Zot, do të ndërtohet e re me të gjitha parametrat infrastrukturore”.

Ndër të tjera Spiropali shprehet se Kamza është kthyer në një nga kantieret më të mëdhenj të ndërtimit, ku po punohet për t’i kthyer pas fëmijëve, të rinjve, grave, burrave, të moshuarve të kësaj zone atë çka meritojnë.

POSTIMI I PLOTË:

Rruga “Pekin”, një nga shumë rrugët që çeta e vjetër e bashkisë i pagëzoi, por i la rrugëve si mos o Zot, do të ndërtohet e re me të gjitha parametrat infrastrukturore.
Investimet e njëpasnjëshme cilësore në këtë zonë e kanë kthyer Kamzën në një nga kantieret më të mëdhenj të ndërtimit, jo vetëm për të rifituar kohën e humbur, po për t’i kthyer pas fëmijëve, të rinjve, grave, burrave, të moshuarve të kësaj zone, atë çka meritojnë : Një qytet model e një hapësirë urbane të jetueshme e të zhvilluar.
#PunëJoGjumë #SkaKohëpërPushim.

Në vijim, Spiropali e shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë Kamzë, Rakip Suli zhvilluan edhe një bisedë me banorët përgjatë rrugës “Pekin”, të cilët thanë se emrin i kësaj rruge shkakton të qeshura kur referojnë adresën në Gjendje Civile.

Në videon e publikuar nga ministrja në rrjetet sociale, janë zbuluar edhe detaje nga biseda dhe batutat me banorët që banojnë aty.

PJESË NGA BISEDA ME BANORËT:
Spiropali: Ai nuk betohej për ato që do bënte, ai betohej për ato që s’do bënte.

Suli: Sa familje janë në këtë rrugë?

Qytetari: Diku rreth 50 familje.

Suli: Do biem dakord t’i ndryshojmë emrin, ç’a është kjo rrugë me emrin “Pekin”?!

Qytetari: Po na hoqe emrin… (qesh)

Spiropali: Mos t’ju vijë letra me adresë “Pekin”.

Qytetari: Edhe në Gjendje Civile, sa i thua rruga Pekin, qeshin të gjithë.

Kush ka qenë në Kamëz me siguri e di se emërtimet e rrugëve janë nga më të çuditshmet. Tendenca Evropiane ka mbërritur me kohë në këtë qytet, që kur ish-kryetari Mziu emëroi pjesën më të madhe të rrugëve me emra të huaj.

Në Kamzë gjen rrugica të quajtura Europa, Roma dhe Strasburgu. Por nuk mungojnë as Milano apo Bruksel., por në fakt ky iluzion, bie menjëherë sapo lexon tabelën pasardhëse në rrugën kryesore të qytetit, e cila është emëruar “Sali Berisha”.