Në një takim me banorët e Gërdecit, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi drejtuesja politike e PS-së për Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, e vuri theksin tek ngjarja tronditëse e ndodhur në këtë zonë në mars të vitit 2008.

Shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve, ku humbën jetën gra, burra e fëmijë ishte dëshmia se si përfundon një vend kur qeveriset nga të marrët tha Spiropali, duke shtuar se “Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se ata që po duan të vijnë në pushtet, vetëm lëkurën kanë ndërruar, po janë të njëjtët. Është ish qeveria që këtë fshat të mrekullueshëm dhe fshatrat afër, I ktheu në varr. Janë të njëjtët njerëz që nuk kursyen asngjë për të mos bërë drejtësi.Është dëshmia më e qartë se si përfundon një vend kur qeveriset nga të marrët dhe hajdutët.”

Më tej Spiropali u ndal edhe tek një nga çështjet më shumë të përfolura të ditëve të fundit në arenën politike dhe mediatike, shpalljen e gjyqtarit Ardian Dvorani nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një nga 12 personalitetet më të spikatur në botë në luftën kundër korrupsionit .

“I vetmi gjykatës që nuk iu nënshtrua, që humbi edhe vëllanë ketu në Gërdec, Dvorani, mori dje vlerësim nga Departamenti Amerikan i Shtetit si kampion në luftën kundër korrupsionit sepse iu doli përballë atyre që I bien ndesh reformës në drejtësi. A janë ata që bërtisnin “Dvorani, Dvorani”, Sali Berisha, Ilir Meta, etj.? I dha vlerësim DASH si i palodhur në punën e tij në kontributin që ka dhënë për materializimin e reformës në drejtësi edhe përkundër ndikimit politik dhe kriminal.” -tha ministrja

Kujtojmë se një nga kulmet e betejës së Ardian Dvoranit në luftën kundër korrupsionit, është rezistenca e tij, në janar të vitit 2012, për t’u dorëzuar përballë presionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, për të votuar pro pafajësisë së Metës, për të cilin prokuroria kërkonte dënimin me dy vite burg për korrupsion.

Ardian Dvorani, i cili ishte kryesues i turpit gjykues, u pozicionua kundër manovrës, ku u rrëzua ekspertiza ndërkombëtare që shpallte autentike videon Meta-Prifti si dhe caktimit të tre ekspertëve shqiptarë, të cilët e shpallën videon montazh, ashtu siç donte Meta. Në 15 janar 2012, një ditë para vendimit, Sali Berisha dhe Ilir Meta u shfaqën në një darkë tek shtëpia e Metës, duke i dhënë një mesazh të qartë trupit gjykues.