Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan zhvilluan një bisedë për krizën në Mesdhe përmes një lidhjeje me video, ku nuk ishte asnjë lider tjetër botëror. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha se Merkel ka kërkuar më shumë përparim në drejtim të dialogut por edhe ka mirëpritur zhvillimet e fundit pozitive. Ajo ka ritheksuar rëndësinë e raporteve konstruktive dhe të qëndrueshme mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, thotë DPA.
Kriza në Mesdheun lindor i ka rrënjët te mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Greqisë për të drejtat territoriale dhe qasjen në burimet natyrore. Ekziston gjithashtu edhe një përplasje mes Turqisë dhe Qipros për këtë çështje. Tensionet u përshkallëzuan vitin e kaluar pasi Ankaraja dërgoi një anije për të kërkuar naftë dhe gaz në Detin Mesdhe. Greqia dhe Qiproja e kundërshtuan veprimin e Turqisë duke kërkuar edhe reagimin e Bashkimit Evropian. Situata mbërri deri në atë pikë sa u dërguan edhe luftanijet në rajon.
Megjithatë delegacionet e Turqisë dhe Greqisë kanë rifilluar bisedimet pas shumë vitesh pezullimi. Greqia dhe Turqia kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të tendosura dhe kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada të tëra për një sërë çështjesh. Të dyja vendet i janë afruar luftës tre herë, që nga mesi i viteve 1970, duke përfshirë serish konfliktin mbi të drejtat e eksplorimit të pasurive nënujore.