Historia e gjatë e dashurisë mes Serxho Ramosit dhe Realit të Madridit është në hapat e saj të fundit. Futbollisti është në skadencë kontrate me gjigantët spanjollë, por bisedimet dhe tentativat e fundit për të gjetur një akord mes palëve, që mbrojtësi të qëndrojë në “Santiago Bernabeu”, nuk kanë dhënë përfundimin që pritej.
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, i ka ofruar Ramosit një rinovim kontrate, por duke ulur me 10 për qind pagën e tij (aktualisht fiton 11.7 milionë euro neto) për të qëndruar deri në vitin 2025, por spanjolli ka refuzuar dhe ka lajmëruar largimin e tij në fund të sezonit. Dhe sigurisht që për një futbollist të kalibrit të tij është e lehtë që skuadrat të vihen në radhë, duke nisur nga PSG-ja, por së fundmi është futur edhe Juventusi në lojë.
Duke u bazuar në burimet e “El Chiringuito”, por edhe të së përditshmes “AS”, e cila është shumë e informuar mbi gjithçka ndodh në klubin madrilen, Serxho Ramos duket më tepër i joshur nga bardhezinjtë sesa nga parisienët. Arsyeja është prestigji i klubit, por e dyta është edhe miqësia e tij e ngushtë me Kristiano Ronaldon. Në të njëjtën kohë, Juventusi duket se është më shumë se gati që t’i ofrojë Serxho Ramosit pagën aktuale që ai kërkon të ruajë, prej 11.7 milionë eurosh në sezon, plus një kontratë 3-vjeçare.
Edhe pse pan demia u ka sjellë shumë humbje klubeve, arsyeja e cila ai po largohet edhe nga Reali i Madridit, në Torino mund t’ia lejojnë vetes këtë pagesë, jo vetëm për faktin se Ramos do të zbarkonte me parametër zero, por në të njëjtën kohë sepse ndoshta Xhorxho Kielini mund të vendosë të tërhiqet në fund të këtij viti dhe Juventusit do t’i duhej të shtonte në bilanc vetëm 5 milionë euro të tjera për të mbuluar rrogën e Ramosit.
Gjithsesi, me PSG-në në mes, që milionat i ka me shumicë, Juventusi nuk mund të flejë gjumë i qetë, edhe pse faktori “Kristiano Ronaldo” është një avantazh që “Zonja e Vjetër” kërkon ta përdorë në maksimum.