Shkencëtarët do të përdorin 300 vullnetarë për të vlerësuar nëse vaksina e koronavirusit do të prodhojë imunitet të fortë tek fëmijët nga mosha 6 deri në 17 vjeç.
Vaksina e Oksfordit dhe Astra Zenecas do të fillojë testimet në Universitetin e Oksfordit në Angli në bashkëpunim me partnerët në Londër dhe dy qytete të tjera angleze, Southempton dhe Bristol.
Profesor Andrew Pollard, shkencëtari kryesor të vaksinës së Oksfordit thotë se “ndërsa shumica e fëmijëve janë relativisht të paprekur nga koronavirusi dhe kanë shumë pak gjasa që të sëmuren nga infeksioni, është e rëndësishme sipas tij të mësojmë përgjigjen imunitare dhe të sigurisë tek fëmijët dhe adoleshentët pasi një numër fëmijësh mund të përfitojnë nga vaksinimi.”
Në kuadër të testimeve, 240 fëmijëve do tu jepet vaksina e riprogramuar e Oksfordit dhe të tjerëve do u injektohet vaksina që kontrollon sëmundjen e meningjitit.
Sipas zyrtarëve më të lartë britanik të shëndetësisë, gjasat janë që deri në fund të vitit të kemi një vaksinë edhe për fëmijët. Kjo është prova e parë që bëhet me fëmijët nga mosha 6 vjeçare e sipër. Deri më tani ka pasur prova për minorenet nga 16 deri 17 vjeç, por jo fëmijë të vegjël.
Ndërkohë në Britani, deri të premten janë vaksinuar 14 milionë veta dhe objektivi i qeverisë së Boris Johnson për 15 milionë vaksina është caktuar ditën e hënë, 15 shkurt, por gjasat janë se këtë fundjavë ky objektiv do të arrihet përpara afatit.