PD dhe LSI kanë sjellë në Tiranë ekipin e tyre të humbësve. Me këto fjalë iu drejtua banorëve të Njësisë 4, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj.
“Po shpërndajnë të gjithë humbësit. E kishin Gridën te Njësia 1, mori rezultatin më të dobët për PD-në. Tani ma kanë sjellë në Kavajë dhe në Rrogozhinë. E kishin Joridën te Njësia 8, bastion i djathtë, por e kemi kthyer në bastion të majtë – dhe tani e riciklojnë në Nësinë 4. Aldo Bumçi humbi në Lezhë, e sollën te Njësia 1. Është kthyer riciklimi i humbësve, si ajo loja e fëmijëve me karriget, që të harrojnë ku janë ulur. Vetëm se qeverisja e vendit nuk është punë për fëmijë. Tha Monika “kjo është studente e shkëlqyer”, hapëm sytë ne: Ajo na doli me pesa! Pra, sipas Monës, të shkëlqyerit qenkan pesanjosët. Vetëm për fyerjen që na kanë bërë me patllaken kundër kalamajve dhe me pesanjosët, Tirana duhet t’u japë përgjigjen: Ne do vazhdojmë me Edi Ramën, do vazhdojmë me PS-në,” u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se Partia Socialiste në Njësinë 4 do marrë një rezultat spektakolar.
“Jo vetëm se është kthyer e gjithë Njësia në kantier pune, por është njësia që tipikisht i është përgjigjur sjelljes së politikës. Kur politika ka punuar, është shpërblyer. Kur politika ka dështuar, siç ishte patllakja e Strazimirit te këndi i lodrave, i ka dhënë shkelmin dhe ka 8 vite që s’duken më deputetët e PD. Është njësia tipike ku puna shpërblehet, ku njerëzit janë të ndershëm, ku njerëzit kanë parë transformimin e qytetit, ku njerëzit kanë parë si është rritur vlera e pronës, si po punohet në çdo front,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të mos harrojnë se çkanë bërë Luli me Monën kur ishin në qeveri.
“Mona dhe Luli duan që populli të harrojë: të harrojë Gërdecin, 21 Janarin, bllokun e Ilir Metës dhe ’97-ën e Saliut. Ata e kanë vënë bastin se ne harrojmë bëmat e pronarëve të tyre, të Metës dhe të Saliut. Ne e kemi vënë bastin që populli kujton dhe nuk vuajmë nga amnezia. Për sa kohë që kemi vënë bastin te kujtesa, duhet që këto 10 javë të jenë javë kujtese. Si ishin gjërat, si po punohet, si janë transformuar, dhe e ardhmja e punët që na presin,” deklaroi ai.