Prurjet e reja në Partinë Socialiste, sidomos nga PD e LSI, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po sjellin shkërrmoqjen e këtyre partive. Në në takim me ish mbështetës të LSI, të cilët iu bashkuan PS, në Njësinë 1, Veliaj u uroi mirë se ardhjen.
“Në Tiranë ne kemi 36 drejtues në terren, se aq është lista për deputetë. Ata mezi kanë bërë 6, sa për një ekip kalçeto. Nuk kanë akoma një listë për 36, sepse lojtarët më të mirë, si: Majlinda Bregu, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Bamir Topi, i përzunë. Tani kanë ngelur si ekip kalçetoje, me gjithë të lodhurit që vijnë nga kategoria e tretë, as e dytë nuk janë. Kush ka humbur në Bulqizë, në Lezhë e në territore të tjera, i sjellin në Tiranë. Ndaj, jo vetëm të ndiheni mirë, por të ndiheni të mirë se ardhur,” iu drejtua Veliaj anëtarëve të rinj të PS, të cilët braktisën teserat e logot e partive të tjera për t’iu bashkuar socialistëve.
Drejtuesi politik i PS për Qarkun më të madh në vend, tha se është për të ardhur keq që një parti, e cila 30 vite më parë rrëzoi simbolin e komunizmit, përfaqësohet ende sot nga Sali Berisha.
“Sot është përvjetori i rrëzimit të bustit të Enverit, që solli shpresë, liri-demokraci e lëvizje studentore. Por, sot Saliu ka kapur moshën e Enverit, 77 vjeç, dhe kërkon të vijë për herë të tretë, pasi mori në qafë gjyshërit e prindërit tanë, mori në qafë gjeneratën tonë, se jemi i gjithë brezi që e mban mend ‘97 e ’98, e mban mend Gërdecin e 21 Janarin, që vrau njerëz me plumba në mish,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës përgëzoi të anëtarësuarit e rinj që deri dje ishin në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Për ata që vijnë nga LSI nuk diskutohet fare që keni bërë vendimin e duhur. Ajo është bërë një parti private, një sh.p.k, burrë e grua. Është tamam si të jetë dyqani i Lumes. Kur nuk është Lumja, është burri. Vjen burri, ikën Lumja, shkon pushon,” ironizoi Veliaj.