Partia Socialiste e ka përmirësuar jetën e gjithsecilit, sa herë ka drejtuar vendin. Me këtë mesazh iu drejtua banorëve të Njësisë 4 në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili shtoi se programi i PS-së është më i miri për Shqipërinë, pasi ndihmon qytetarët në çdo stacion të jetës së tyre.
Nga ana tjetër, Veliaj deklaroi se PD-LSI janë një grup humbësish, që tani kanë edhe probleme me SPAK-un. “Fyerja më e madhe është kur sjellin gjithë humbësit në Tiranë. LSI-ja ka sjellë këtu këdo që skualifikon “Vettingu”, të gjithë çfarë kanë dosje në SPAK. Është bërë kriter: që të jesh kandidat i LSI-së, sa më e madhe dosja e abuz imeve në SPAK, aq më të madh duhet ta kesh haraçin për të shpenzuar në fushatë. Kriter për të qenë kandidat i LSI-së është SPAK-u”, vijoi ai.
Kryebashkiaku shtoi se ashtu si në çdo njësi, edhe te Njësia 4, kanë qenë të shumtë ata që janë larguar nga radhët e LSI-së, pasi kuptuan se ajo ishte një parti private, që po ndante të majtën “për t’ia vënë në prehër Saliut”. Gjithashtu, Veliaj tha se mirëpret edhe të ardhurit nga PD-ja, të cilët panë se ishin në një parti me ish-komunistë e ish-sigurimsa.
“Më vjen shumë mirë kur dëgjoj se po afrohen gjithmonë e më shumë edhe ata që përkohësisht u larguan te LSI-ja, me shpresën se ishte një alternativë e majtë. Por, e kuptuan se ishte një parti private që do ta shqyejë të majtën, t’ia vërë në prehër Saliut. Edhe ata që po ikin nga PD-ja, më vjen mirë që janë bashkuar me ne, se e kuptuan që ata që ulërisnin “liri demokraci” në fakt ishin ish-komunistët, ish-sigurimsat. Saliu me shokë, sekretari i fundit i partisë”, sqaroi Veliaj