Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në Njësinë 4, ku komentoi programi social të Partisë Demokratike, të cilin e cilësoi si një rikthim në kohën e Spiro Kserës dhe Xhelal Mziut, kur ndihma ekonomike jepej për pasanikët me vila dhe nevojtarët prisnin lëmoshën e radhës.
Veliaj ironizoi strategjinë e Lulzim Bashës duke gatuar për familjen, me pyetje mbi programin për familjet e shqiptarëve. “Iu thashë konsulentëve të Lulit, se ne jemi të bindur që ai mendon dhe gatuan vetëm për familjen e tij. E mësuam tek Astiri, kur la protestën për një makinë. E mësuam kur do iu suleshin qendrave tregtare, dhe e la protestën për vilat në Lundër. E mësuam kur la protestën te Bulevardi, për vila te Gjiri i Lalzit. Pyetja është: A do gatuajë ndonjëherë për ndonjë qendër sociale? A do gatuajë ndonjëherë ndonjë projekt për të gjithë Shqipërinë? Çfarë propozimi ka për familjen e të gjithë shqiptarëve?”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se propozimin e vetëm që ka PD-ja sot është rikthimi në kohën e Spiro Kserës. “Ishte i vetmi ministër që bëri burg për vjedhje të ndihmës ekonomike. I la 6 muaj pa paguar pagesat e aftësisë të kufizuar, 7 këste të papaguara të të përndjekurve. Pra, PD-ja thotë të kthehemi ku ishim, kur ndihmën ekonomike e merrte Xhelal Mziu dhe pasanikët e Kamzës, që shpërndahej nga të gjithë komunarët e PD në Kashar, në Farkë. Vetëm fukarai nuk merrte asgjë. Lista e kredive të buta shpërndaheshin për deputetë, zv/ministra dhe vrasës me uniformë. Këta ishin shtresa sociale e PD dhe propozimi i Lulit është të kthehemi ku ishim,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se me programin për rritjen e pensioneve Lulzim Basha është bërë si Nastradini. “Tha do ulim sigurimet shoqërore dhe do rrisim pensionet. Po si? Pensionet dalin nga sigurimet shoqërore. Kjo është komplet si Nastradini, që tha më ngordhi gomari. Domethënë, sa të mësohemi të mos paguajmë asnjë taksë, asnjë sigurim shoqëror, pastaj do zbulojmë që nuk paska lekë për pensione,” deklaroi Veliaj, i cili nga ana tjetër shtoi se ka qenë qeverisja socialiste që ka shpërblyer në të vërtetë ish të përndjekurit dhe ish-ushtarakët, të cilët u përdorën nga PD për dekada me radhë vetëm për vota.
“Të përndjekurit vinin përditë tek Ministria me benzinë që të digjeshin, sepse i thoshte partia e tyre eja edhe një herë në fushatë, shaj edhe një herë këta dhe pastaj t’ju japim edhe një këst tjetër. Pastaj, ua jepte këstet me pikatore që t’i mbante varur. Ndërkohë, ne iu dhamë që vitin e parë çfarë iu takonte, të 7 këstet. Kemi zgjidhur fillimisht hallet e atyre që tradicionalisht nuk na kanë votuar. Zgjidhëm edhe ish-ushtarakët. Fakti që atyre ju shërbejmë shumë më mirë sesa partia e tyre, nuk i mbajmë varur, nuk i diskriminojmë njerëzit, na bën nder,” e përfundoi ai.