Maqedonia e Veriut nuk do të furnizohet me vaksina kundër COVID-19, para muajit mars, edhe pse institucionet kishin premtuar se vaksinat e para do të arrinin në fillim të muajit janar apo në fillim të muajit shkurt. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, e beri te ditur se vendi mund të shpresojë për vaksina kundër COVID-19 përmes sistemit Covax vetëm në muajin mars.
“Mekanizmi COVAX, përmes një njoftimi me shkrim na ka informuar se vaksina e parë që do të mbërrijë tek ne përmes këtij mekanizmi është AstraZeneca. Dorëzimi i 35% të 175.200 dozave të planifikuara të kësaj vaksine do të arrijnë në muajin mars kurse pjesa tjetër nga mesi i vitit. Sistemi i vaksinimit është plotësisht i përgatitur për të marrë sasitë e vaksinave përmes këtij mekanizmi, por në të njëjtën kohë po bëjmë përpjekje për të siguruar vaksina nga prodhues të tjerë dhe përmes mekanizmave të tjerë”, u shpreh ministri.
Ai njoftoi gjithashtu se institucionet kanë bërë gati listat me emrat e qytetarëve që do të jenë të parët të cilët do të marrin vaksinën. Ekspertët vendas kanë rekomanduar edhe imunizimin e personave që janë prekur nga sëmundja, pavarësisht se mund të kenë antitrupa. Disa ditë më parë, Shkupi miratoi përdorimin e vaksinës së prodhuar nga kompania kineze, Sinopharm.