Qeveria shqiptare e mbështetur nga qeveria gjermane, ka ngritur një instrument këshillimor, të kombinuar me grante, për të zbutur pasojat e krizës së COVID-19, të quajtur CoSolve-19. Kjo iniciativë e përbashkët, do t’u ofrojë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-ve) këshillim dhe trajnime të përshtatura sipas nevojave të tyre individuale, duke përfshirë informacion mbi mundësitë e financimit të ideve të tyre, njoftoi sot GIZ Albania.
Kjo iniciativë, e cila zbatohet nga GIZ, fokusohet në zbutjen e efekteve të shkaktuara nga kriza e COVID-19 dhe rimëkëmbjes së bizneseve, e po ashtu në përshtatjen e tyre me “normalitetin e ri” . Të gjitha NVMV-të do të marrin informacion të hollësishëm mbi skemat aktuale të financimit qeveritare dhe nga donatorë të tjerë, bazuar në nevojat e tyre të biznesit, të renditura në formularin e aplikimit të CoSolve-19. Në CoSolve-19 mund të aplikojnë sipërmarrje në sektorët e turizmit, bujqësisë dhe sektorë të tjerë të prekur nga pandemia.
Bizneset dhe fermerët individualë, të cilët duan të përfitojnë nga kjo iniciativë duhet të jenë të regjistruar në Shqipëri para datës 1 Mars 2019. Mund të aplikojë secili fermer individual, pronar i një biznesi bujqësor, biznesi akomodues (hotel, bujtinë, kamp), operator turistik, prodhues i tekstileve dhe veshjeve, lëkurës dhe këpucëve, bizneseve të artizanatit, si dhe biznese të tjera që janë dëmtuar si pasojë e COVID-19. Periudha e aplikimit është e hapur nga data 25 Shkurt deri më 31 Mars 2021. Në raundin e parë, 210 aplikues do përzgjidhen për përkrahje të menjëhershme, ndërsa CoSolve-19 do të mbështesë 900 NVMV të prekura nga pandemia COVID-19 deri në fund të vitit 2022.
Për më shumë informacione rreth CoSolve-19 dhe procedurave të aplikimit, të interesuarit mund të klikojnë në www. cosolve19 . al.