Nga Alfred Peza
Pas Ilir Metës edhe liderët e tjerë, kandidatët për deputetë dhe opinionbërës të opozitës kanë një dëshirë gjithmonë e më të madhe, që ti konsiderojnë zgjedhjet e 25 prillit si një referendum. Ajo që nuk dakordësohen publikisht të gjithë sëbashku, është pyetja: Kush është objekti i këtij referendumi? E shumta për të cilin bien në një mëndje, është përgjigja për vetëm për subjektin e tij: Edi Rama!
E thënë kështu, kuptohet që të gjithë po gabojnë, sepse referendumet nuk bëhen për të rrëzuar një individ. Sepse mazhorancat, qeveritë e kryeministrat në demokracitë pluraliste, bien ose konfirmohen, përmes votimeve në zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare. E kjo në Shqipëri është një e drejtë e patjetërsueshme, që na e jep Kushtetuese në mënyrë ciklike, një herë në katër vjet. Ndaj edhe këto të këtij viti, janë thjeshtë zgjedhjet e 10-ta të radhës, në këto 30 vite të postkomunizmit.
Referendumet kombëtare janë momente jo kaq të zakonshme, sepse janë një institucion juridik elektoral, ose një nga shprehjet më të larta të demokracisë direkte. Përmes tyre i jepet mundësia sovranit që të japi verdiktin e vet për çështje shumë madhore. Pas rrëzimit të komunizmit, në Shqipëri janë regjistruar deri tani, vetëm tri konsultime të gjëra popullore. Dy (1994, 1998) kanë qenë referendume për Kushtetutën, ndërsa ai i vitit 1997, për zgjedhjen e sistemit qeverisës; Republikë, apo Monarki!
Në këto kushte, është mëse e qartë se këto të pranverës, janë thjeshtë zgjedhjet tona parlamentare të radhës. Është një ditë votimesh të zakonshme, ku PS synon të fitojë mandatin e tretë qeverisës radhazi, ndërsa opozita kërkon të rikthehet në pushtet pas tetë vitesh. Kaq.
Përtej kësaj zhurme, ka realisht një të vërtetë, e cila fshihet pas kësaj. Është një çështje shumë madhore, për të cilën shqiptarët janë po aq të interesuar, sa çkanë qenë edhe për tri referendumet e këtyre tri dekadave të fundit. Sepse edhe kjo çështje, është po aq e rëndësishme për Shqipërinë, sa çka qenë edhe dokumenti themelor i shtetit apo sistemi ynë qeverisës vetë. Është fjala për Reformën në Drejtësi.
E konsideruar si kryereforma e të gjitha reformave, debati për të është rikthyer sërisht edhe publikisht këto ditë, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit nderoi ish Kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) Ardian Dvorani me çmimin e Kampionit Anti-Korrupsion. Një akt që ngjalli menjëherë reagime të kundërta publike sidomos nga politika, që u lexuan si pozicionime në pro e kundër Reformës në Drejtësi. Kjo pasi gjyqtari i njohur, ka qenë në qendër të sulmeve të liderëve të opozitës, në momentin më delikat kur vihej në lojë suksesi apo deshtimi i saj.
Vlerësimi shumë i lartë për Dvoranin është parë veç të tjerash, edhe si një sinjal i drejtpërdrejtë amerikan, kundër atyre liderëve politikë në Shqipëri që kanë bërë gjithçka për ta frenuar, bllokuar dhe zhbërë këtë reformë historike. Kjo ka bërë që të identifikohen si të pozicionuar kundër Reformës në Drejtësi, të gjithë liderët politikë, që e kanë sulmuar dhe po vazhdojnë ta sulmojnë ende të përzgjedhurin e SHBA si simbolin e drejtësisë së re.
Ata janë Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Të cilët këto ditë, vetë ose përmes vartësve të tyre politikë dhe mediave pranë tyre, po dalin si kurrë më parë gjithmonë e më hapur kundër Reformës në Drejtësi. Me zë dhe me figurë.
Derisa sot, nën Kryetari i LSI Petrit Vasili, tha në një konferencë shtypi, se pas 25 prillit nëse opozita do vijë në pushtet, do e zhbëjë vettingun në Policinë e Shtetit. Kjo deklaratë u lexua si qëndrim shumë i qartë politik nga ana e opozitës, në raportet e saj të nesërme me vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që është kyçi për procesin e çmontimit të kollonës së kalbur të drejtësisë së vjetër dhe ngritjes së institucioneve të sistemit të ri.
Edhe djegia e mandateve të deputetëve të opozitës, edhe ikja e saj nga Parlamentit, edhe revolucioni i “molotovëve”, edhe çdekretimi i datës së votimit, edhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të 2019 janë lexuar herët si një axhendë opozitare kundër Reformës në Drejtësi. Por, deri dje, ishin kujdesur që të fshiheshin pas retorikës kundër qeverisë.
Sot e tutje, u kuptua se nuk do fshihen më. Ndaj askush nuk mund të thotë dot më 26 prill në mëngjes, se nuk e dija se zgjedhjet e kësaj radhe, janë realisht një referendum. Por jo kundër Edi Ramës siç thonin deri dje. Sepse pyetja që po i shtrohet sot shqiptarëve është: A jeni PRO apo KUNDËR Reformës në Drejtësi?!