Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka këmbëngulur se fitorja e ngushtë 1:0 e skuadrës së tij kundër Atalantës nuk nënkupton se madrilenët e kanë siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ferland Mendy ia siguroi Real Madridit një fitore minimale në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në udhëtim, kundër një Atalante që luajti me 10 futbollistë nga minuta e 17-të.
Skuadrës së Zidane i munguan shumë lojtarë kyçë, por megjithëse Atalanta luajti me një futbollist më pak pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, Madridi nuk qe në gjendje ta shfrytëzojë përparësinë në fushë. Madridi do ta presë Atalantën në Spanjë pas tri javëve, me përparësinë e golit si mysafir për një vend në çerekfinale.
Por Zidane mendon se ende gjithçka është e hapur. “Nuk prisja që ta kishim të lehtë, sepse ne e dinim se Atalanta janë fizikisht shumë të fortë dhe ata e dëshmuan këtë”, tha Zidane. “E patëm të vështirë edhe kundër 10 futbollistëve, por e shënuam një gol të rëndësishëm. Por kjo nuk do të thotë asgjë, sepse e kemi edhe ndeshjen e kthimit dhe kjo bën që shanset të jenë 50-50”, shtoi ai.