10 mijë fermerë kanë aplikuar deri tani për të përfituar përgjysmimin e çmimit të karburantit. Për drejtuesin politik të PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili zhvilloi një takim me fermerët e zonës së Rrogozhinës, kjo tregon interesim të madh dhe se vendimi i qeverisë ishte i drejtë.
Ai ndau me fermerët e Rrogozhinës edhe një propozim, që bashkitë e Tiranës, Vorës, Rrogozhinës, Kavajës dhe Kamzës të bashkëpunojnë mes tyre për t’i ardhur në ndihmë sektorit të bujqësisë.
“Propozimi im është që, Rrogozhina dhe 4 bashkitë e tjera të qarkut të Tiranës, të bëjmë një marrëveshje dhe secili prej nesh me mjetet e veta, t’i çojmë aty ku ka nevojë. Ne si bashki, që kemi eskavatorë, mund t’i sjellim të shërbejnë këtu. Të përgatisim një marrëveshje kuadër, ku themi, kjo është një flotë e përbashkët, dhe flota shkon aty ku ka nevojë. Nëse Tirana ka pak nevojë dhe i ka të lira mjetet e saj, mund t’i çojmë të gjitha mjetet aty ku prodhohet”, sqaroi Veliaj për fermerët.
Nga 1 Janari i këtij viti, Qeveria hoqi akcizën, taksën e qarkullimit dhe atë të karbonit për prodhimet bujqësore, duke realizuar përgjysmimin e çmimit të karburantit për fermerët. Përmes kësaj skeme, çdo fermeri që punon tokën, i llogaritet sasia e naftës që i duhet për sipërfaqen e deklaruar. Për atë sasi nafte përllogaritet vlera e barrës fiskale, e cila do të përjashtohet dhe do të konvertohet në sasi nafte, që do të jepet falas përmes një karte të veçantë për çdo fermer.