Trajneri i Everton, Carlo Ancelotti, ka parashikuar një rrugëtim prej ylli të Richarlison, i cili do të synojë ta vazhdojë serinë e golave edhe sot, ndaj West Brom. Italiani ka punuar me shumë nga lojtarët më të mirë të Europës gjatë karrierës së tij si trajner, por beson se braziliani është i aftë të arrijë majat e futbollit:

“Richarlison është një sulmues modern, i plotë, sepse punon me të vërtetë shumë. Statistikat e tij fizike janë me të vërtetë të larta, si të një mesfushori, por ka shpejtësi dhe është me të vërtetë klinik në finalizim. Ai është fantastik me kokë dhe klinik para portës kundërshtare. Lëvizja e tij pa top është vërtet e mirë.


Unë mendoj se mund të bëhet shpejt një nga sulmuesit më të mirë në Europë. Jam i sigurt që mundet, sepse i ka të gjitha këto lloj cilësish. Ai nuk ka një pozicion specifik në fushë, por është me të vërtetë i kompletuar.

Duhet të përmirësohet me aftësitë teknike, në kontrollimin e topit. Lëvizja e tij pa top është vërtet e nivelit të lartë, ashtu si pozicionimi në zonën kundërshtare. Niveli i tij do të rritet në Champions, nëse kualifikohemi. Do të ishte një përvojë fantastike për të”.