Pas 18 ditësh në izolim, sulmuesi i Torinos Andrea Belotti ka mposhtur më në fund koronavirusin dhe pritet t’i bashkohet skuadrës në stërvitje, për të qenë në dispozicion të trajnerit Davide Nicola që për sfidën e të dielës ndaj Interit. Lajmin e ka konfirmuar për klubin torinez vetë Zyra Shëndetësore Lokale e Torinos, ndërsa Belotti po u nënshtrohet edhe testeve mjekësore, për të qenë gati për t’u stërvitur me skuadrën që në seancën e nesërme.
Belotti rezultoi pozitiv 18 ditë më parë dhe pas dy ndeshjeve të shtyra, pa nga televizori humbjen në transfertën ndaj Crotones, si dhe mori lajmin e gëzuar të ardhjes në jetë të vajzës së tij të parë, të cilën vetëm sot ka mundësinë ta përqafojë.
Kapiteni pritet të niset nga pankina në ndeshjen me Interin, pasi 18 ditë pa stërvitje mund të kenë ndikuar jo pak në rendimentin e tij fizik, megjithatë Nicola mund të bazohet te Belotti për ndeshjen e të mërkurës së ardhshme ndaj Sassuolos.