“Divjaka jonë po rritet çdo ditë, jo veç prej prodhimit nga tokat, serrat, por edhe nga përpunimi i produkteve tona të tokës e bagëtive”, tha sot zëvendëskryeministri Erion Braçe, ndërsa solli në vëmendje një grua që punon në linjën e përpunimit të qumështit në Divjakë. Ai tha se Roza Basha është një supergrua. Teknologe e lartë, ajo drejton prodhimin në fabrikën e Lad Marës në Çermë Sektor.

“Produktet janë këto që shihni. Një linjë e re prodhimi djathrash prej qumështit të lopës e deles, feta e kackavall. Ja qe gratë janë, dinë, punojnë, drejtojnë, prodhojnë, vlejnë. Lad Mara në Çermë ka zgjedhur një ndër më të mirat në këtë fushë. Sipërmarrja e tij, zonjës Eli, dy djemve Bledi e Renato është rritur, prodhimi është shtuar, cilësia po aq, fal tyre, Rozës që drejton prodhimin e çdo gruaje e burri që punon aty”, shprehet Braçe.

Po ashtu, Braçe shtoi se “një punë e mire që ndihmon çdo blegtor në Çermë e më tej”. “I çmoj pafund prodhuesit, posaçërisht gratë që merren me prodhimin, nuk kanë kohë të humbin me llafe gjithfarësh, i rrinë prodhimit mbi kokë”, u shpreh Braçe.