Aktori i mirënjohur i humorit, Salsano Rrapi, përtej karrierës së tij të suksesshme si aktor, moderator dhe skenarist, ai është dhe një familjar i përkushtuar, babai i dy vajzave që janë fryt i një dashurisë me aktoren e njohur dhe njëkohësisht kolegen e tij, Erjona Kakelin, me të cilën kanë bashkëpunuar prej kohësh në programin e humorit “Portokalli”. Së fundmi është mësuar se dyshja do të ndahen në dy programet kundërshtare të humorit që nisin transmetimin këtë të dielë. Partnerja e moderatorit, Erjona Kakeli do të jetë pjesë e emisionit më të ri të humorit “Kosherja”, që pritet së shpejti të startojë në “Abc News”, me regji të Altin Bashës. Ndërkohë, Salsano do të vijojë të jetë pjesë e “Portokalli-së”.
Ndërkohë çifti është shumë diskret përsa i përket jetës personale. Arsyen pse Salsano do që ta mbajë larg vëmendjes mediatike familjen e tij dhe veçanërisht dy vajzat e tij, ai e zbuloi në emisionin “Rreze Dielli”. “Është instiktive pse ne nuk duam t’i nxjerrim vajzat në rrjete sociale. Jam supersticioz, kam përshtypjen se po të nxjerr një foto të vajzave, nesër ato do të sëmuren. Vajza ime e vogël sikur sëmuret pak më shpesh, por të vogla janë.. do të sëmuren”, tha aktori. Aktori i humorit shtoi se në këtë zgjedhje ndikon edhe fakti që ai dhe nëna e fëmijëve janë personazhe publikë.