Sa më shumë po afron dita e zgjedhjeve, aq më shumë në Presidencë shtohen ethet e ‘referendumit të 25 prillit’, siç pëlqen ta quajë Presidenti Meta. Së fundmi zëdhënësi i tij, Tedi Blushi, në tentativë për t’iu përgjigjur një aktiviteti të zhvilluar nga Kryeministri Rama për reformën në drejtësi, ‘ngatërrohet’ teksa e paralajmëron Ramën se do të përballet me shefin e tij në parlamentin e ri.
“O shakaxhi i integrimit, nëse do kesh fatin të zgjidhesh deputet më 25 prill, me Presidentin Meta do takohesh sy më sy në Parlamentin e ri”, shkruan Blushi në rrjetet sociale. Por si mund të përballet një President Republike me një Kryeministër në vendim e debatit politik në Parlament? Me sa dimë Ilir Meta ende nuk e ka dhënë dorëheqjen, për të kryesuar listat e LSI në Tiranë, apo në Berat që përfshin dhe vendlindjen e tij Skrapar!
Kujtojmë se Ilir Meta ka deklaruar shpesh se ai do të jetë President deri në korrik të vitit 2022, kur i përfundon mandati. Edhe pse së fundmi, në një intervistë televizive, Ilir Meta ka dalë hapur duke paralajmëruar PD se nëse fiton Rama, drejtimin e opozitës do ta marrë ai. Meta, ka paralajmëruar dorëheqjen e tij në këtë post, nëse kryeministri Edi Rama merr 71 mandate më 25 prill, pa u prekur vota, duke thënë se pas kësaj do të në dorë opozitën. shqiptarja.com