Trajneri i Rangers, Steven Gerrard, ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhin atë me stolin e Liverpool, pasi e drejtoi skuadrën skoceze drejt titullit të parë në 10 vitet e fundit. Rivalët e hidhur të Celtic e fitonin titullin në Skoci prej nëntë sezonesh me radhë, por ish-kapiteni i “Reds” me të tijtë e prishën këtë traditë.
Statusi i Gerrard, si një ikonë e Liverpool, e kombinuar me suksesin e tij në Skoci, e përvijon ish-mesfushorin si pasues të Jurgen Klopp, skuadra e të cilit ka zhgënjyer shumë së fundi. Në një intervistë me ITV, Gerrard tha se shpresonte që Klopp të qëndrojë në “Anfield” edhe disa vite, ndërsa pranoi se trajnimi i ish-skuadrës së tij një ditë do të ishte ëndërr.
“Aktualisht kemi një nga trajnerët më të mirë, që e udhëheq klubin tonë, – tha Gerrard për Klopp. – E vlerësoj shumë atë, shpresojmë të qëndrojë edhe për disa vite. Unë kam një punë këtu në Skoci, nuk mendoj se është e dobishme të flas për aludime të tjera. Shpresoj që Jurgen të qëndrojë te Liverpool për shumë vite.
Liverpool është klubi im, është një ëndërr për mua që një ditë të jem trajner i tij. Por, nuk ka ardhur momenti akoma. Ka shumë trajnerë në këtë planet. Ne duhet ta respektojmë Jurgen, para së gjithash”.