Pas largimit të Eneda Tarifës nga “Portokalli” u përfolën disa emra si moderatore të ardhshme të spektaklit të humori. Si fillim u tha se vendin e Tarifës do e zinte Nevina Shtylla, pasi thuhej se ajo ishte parë në mbledhje me stafin e programit. Më pas “Anabel.al” zbuloi se drejtimin e “Portokalli”-së do e merrte një tjetër moderatore e dashur për publikun, Fjoralba Ponari. Këtë gjë e ka konfirmuar vetë kjo e fundit gjatë një interviste në rubrikën “N’Trip” në emisionin “E diell”. Fjoralba është shprehur se nuk e mendonte kurrë që ajo do të bëhej pjesë e “Portokallisë”, por bordi drejtues e ka bindur se mund t’ja dalë mbanë.

“Sapo më është besuar, e them me bindje, projekti më sfidues në televizionin e Top Channel. Bëhet fjalë për Portokallinë. Për hir të së vërtetës ka qenë një nga ato projekte që nuk e kam menduar veten kurrë që do të bëhesha pjesë e aq më tepër që do e moderoja. Për një arsye të thjeshtë, sepse kam menduar historikisht se aty do të ishte dikush që kishte një background që i përket aktrimit. Megjithatë po të shihni historikun e moderatoreve, nuk kanë qenë aktore të gjitha apo aktorë të gjithë ata që e kanë moderuar. Por me aq sa më tha dhe bordi drejtues e rëndësishme është që të kesh të dhëna të mira dhe të jesh bashkëpunues dhe çdo gjë tjetër zgjidhet. A do të zgjidhet? Mbetet për t’u parë”, tha Ponari.

Ajo nuk nguroi të thoshte hapur emrin e ish-moderatores së preferuar nga “Portokallia”. Fjoralba tha se Xhemi Shehu ka qenë më e mira për të për një arsye shumë të rëndësishme. “Xhemi Shehu padiskutim, ka qenë një nga figurat jo vetëm e dashur dhe e zonja, por me një kimi të mrekullueshme me Salsanon, gjë që unë realisht e shikoj si shembull dhe do të doja të arrija në ato nivele bashkëpunimi”, tha Fjoralba.