Ministrja e Infrastrukturës dhe Enegjisë, Belinda Balluku, duke folur sot gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Shqipërisë e SHBA, përmes Ministrisë së Infrastruktuës e Energjisë dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy, për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri, deklaroi se, “rëndësia e partneritetit që farkëtojmë sot është e dyfishtë”. Balluku u shpreh se, “Shqipëria mbështetet tërësisht në energjinë e përtëritshme”. “Unë këmbëngul se për Shqipërinë tranzicioni energjetik nuk do të thotë të njëjtën gjë si për vende të tjera europiane. Ne kemi nevojë për sigurinë e furnizimit. Kemi nevojë për së paku një burim të besueshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termocentrali i Vlorës është konsideruar prej një kohe të gjatë si një burim i tillë”, tha ajo.
“Projekti për termocentralin e Vlorës është 20-vjeçar. Së pari me ndihmën e BB u projektua dhe u ndërtua për të funksionuar me naftë diesel. Por kurrë nuk qe funksional për shkak të defekteve në projektim dhe ekzekutim. E më pas, pas ndërtimit të gazjellësit Transadriatik, pati orvatje dhe natyrisht edhe përpjekje të pasukseshme komisionimi për ta konvertuar termocentralin që të funksiononte me gaz të furnizuar nga TAP-i”, u shpreh Balluku.
“Sot jemi besimplotë që gazi i lengshëm natyror mund të jetë kyçi për të ofruar më së fundi zgjidhjen përfundimtare për projektin kompleks të termocentralit duke zgjedhur partnerët më të mirë që janë të pajisur për të realizuar një projekt të kësaj magnitude”, tha Balluku.
Balluku shtoi se “për të arritur një gjë të tillë MIE angazhohet që të bashkëpunojë me Exxon Mobil & Excelerate Energy për të vlerësuar aspektet tregtare, teknike, rregullatore për të sjellë gazin e lëngshëm natyror në Shqipëri. Kjo përfshin të tërë zinxhirin, nga konvertimi në gazin e lëngshëm natyror të termocentralit të Vlorës në terminalin e rigazifikimit për shpërndarje në shkallë të vogël të gazit të lëngshëm natyror, duke e shndërruar Vlorën në një qendër rajonale”.
“Ndërkohë që rritja e sigurisë së furnizimit është thelbësore, jo vetëm për ne, por për të gjithë fqinjët ballkanikë, pasja e kësaj shpërndarjeje në shkallë të ulët të gazit të lëngshëm natyror, mund të sjellë përfitime për të gjithë rajonin”, theksoi Balluku.
Balluku nënvizoi se, “duke u mbështetur tek përvoja dhe njohuritë e Exxon Mobil & Excelerate Energy ne mund të përshpejtojmë futjen e gazit natyror në tregjet tona, si një kontribut serioz për të pasur diversifikim e siguri”.
“Qeveria shqiptare është shumë entuziaste për ta eksploruar këtë mundësi me dy lider të kësaj industrie dhe do të donte të falenderonte Departamentin Amerikan të Energjisë dhe Ambasadën Amerikane që na bënë bashkë dhe që mbështetën këtë bashkëpunim, i cili do të ndërtojë më tej mbi partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-së. Presim me padurim që të punojmë së bashku e që ta shohim këtë projket të realizuar”, tha Balluku.