Rëndësia e pjesëmarrjes masive në zgjedhjet e 25 Prillit ishte në qendër të bashkëbisedimit që drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri organizoi me një grup votuesish për herë të parë.
Në takimin që u zhvillua në mjedise të hapura dhe në respekt të rregullave anti-COVID, ishin të ftuar të veçantë edhe vëllezërit e mirënjohur vlonjat Donald dhe Romeo Veshaj, të cilët tashmë mbajnë dhe funksionet e kordinatorëve të zyrës për studentët e Qarkut të Vlorës, ngritur në kryeqytet.
“Ju duhet të ndjeheni krenar kur të ftoni shokë dhe shoqe në Vlorë. Ka shumë të rinj që duhet të votojnë për Partinë Socialiste pikërisht sepse ju kthye krenaria me vepra Vlorës. Kjo nuk është propagandë por unë do të doja që të gjithë ju të jeni bashkë me shokët tuaj, ti merrni përdore dhe të votoni për herë të parë. Të na e mundësoni që këtë ‘tren’ të nisur të zhvillimit në Vlorë të mos ta ndalim. Prandaj kemi nxjerrë dhe atë sloganin tonë që Vlora Nuk Ndalet. Vlora nuk mund të ndalet ashtu sikurse nuk mund të ndalen të rinjtë. Të rinjtë kanë mundësinë që të bëjnë diferencën e madhe në këtë qytet”, u shpreh Gjiknuri.
Ai shprehu bindjen se me pjesëmarrje sa më aktive në politikë, të rinjtë do të marrin në dorë fatet e qytetit dhe të vendit. “Ka shumë arsye për të votuar për Partinë Socialiste. Natyrshëm që dhe ne nuk jemi përfekt, kemi shumë gjëra që si kemi bërë por jam i bindur se ne jemi ata që po shkojmë në atë drejtim që duhet dhe që po e transformojmë këtë vend. Natyrishëm, Vlora falë vëmendjes së Kryeministrit, ka një vend të veçantë. Për shkak të të gjitha investimeve të bëra, gjëra të mrekullueshme, gjithë ato vepra që u përmendën, është një qytet që na bën krenar”, insistoi Gjiknuri.
Drejtuesi politik i socialistëve për Qarkun e Vlorës tha se një ndër investimet më të rëndësishme është përfundimi i shëtitores më e gjatë që do të ketë Mesdheu, nga Pylli i Sodës deri në Orikum.
“Janë mbi 20 kilometër dhe kush ka qef biçikletën, vrapin mund ti praktikojë pasi asnjë qytet tjetër në Mesdhe nuk e ka një të tillë. Kjo do të jetë një vepër e mrekullueshme, kjo do të sjellë edhe më shumë të rinj e pse jo shokët dhe shoqet tuaja të bëhen pjesë e ndryshimit dhe transformimit në Vlorë. Por që ta çojmë përpara këtë ‘tren’ të nisur, na duhet vota e gjithësecilit. Jo vetëm unë dhe kolegët e mi apo bashkëmoshatarët e mi, ca më të vjetër e ca më të rinj, por na duhen të rinjtë. Të rinjtë në një Vlorë më të bukur e të zhvilluar do të kenë më shumë mundësi në turizëm, më shumë mundësi në punësim dhe natyrshëm e thashë se shpresa nuk do vritet dhe shpirti do të bëhet më i bukur në një Vlorë më të bukur. U bëj thirrje votoni masivisht Partinë Socialiste”, apeloi Gjiknuri.