Manchester City është aktualisht skuadra më në formë në Europë. Skuadra e Pep Guardiolas po shkon drejt titullit në Angli dhe është në rrugën e duhur për të synuar t’i shkojë deri në fund Champions League. Por vazhdimisht ata sulmohen për faktin se shpenzojnë më shumë para se të tjerët dhe nuk kursehen asnjëherë për të marrë lojtarët më të mirë. Guardiola deri më tani ishte munduar të shmangej rreth këtij argumenti, por tashmë ai ia pret shkurt gazetarëve.
“Mund të fitosh një titull me lojtarë mesatarë, por për të fituar shumë tituj duhen lojtarë të nivelit të lartë, të lartë dhe të lartë. Dhe lojtarët e tillë kushtojnë shumë para, ky është mendimi im. Nuk po tallem, kjo është e vërteta.
Pra Bayern Munchen, Barcelona, Real Madrid, United, Juventus, Milan, Celtic apo Rangers fitojnë më shumë titujt se të tjerët në ligat e tyre sepse kanë më shumë para se klubet e tjerë. Kështu që disa gazetarë thonë se ne fitojmë ndeshje dhe tituj për shkak të parave dhe unë mund të them se po, kjo është e vërtetë. E pranoj këtë”, u shpreh Guardiola, duke ironizuar deklaratat e shumta për paratë e Cityt.