Deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri ishte sonte i ftuar në Shqip show nga Rudina Xhunga në Dritare Tv. Valteri u shpreh se është në bisedime me Partinë Socialiste për të qenë pjesë e së majtës në zgjedhjet e 25 prillit. Në studio ai tha se në Shqipëri nuk ka të majtë dhe të djathtë, por vetëm interesa personale.
Rudina Xhunga: Është e vërtetë që ti do të jesh me PS këtë radhë?
Halit Valteri: Akoma nuk është vendosur asgjë. Midis një dileme kaq të madhe që ti nga një i djathtë të kthehesh në një të majtë unë dua të shpjegoj diçka që duhet të kuptojmë, që në Shqipëri nuk ka të majtë e të djathtë. Ja të të marr një shembull të thjeshtë, koalicioni opozitar nuk ka rëndësi të jesh i përndjekur politik, nuk ka rëndësi të kesh punuar që i vogël me Lulzim Bashën pra me partinë e tij, nuk kanë rëndësi idealet që ke apo prejardhja. Duhet të kesh lidhje me kunatin, tjetrin apo tjetrin. Sot në koalicionin e Lulizm Bashës është Monika Kryemadhi. Unë kam ndenjur dy vjet poshtë zyrës së Ilir Metës duke thënë ‘Meta ik’.
90 ditë në çadër unë dhe shumë demokratë të tjerë prisnim që Ilir Meta të rrëzonte Edi Ramën. Dhe nuk ndodhi. Basha dikur thoshte Meta është streha e fundit e maskarenjve. Ka vetëm interesa personale, jo ideologji. Kemi Shpëtim Idrizin me Vangjel Dulen, një çam dhe një grek të cilët luftojnë për interesat e tyre bashkë në një koalicion. Kemi individë që nuk janë provuar me vota në asnjë moment, si Nard Ndoka. Nëse voton PD sot mer Monikën, nëse voton PD, sot merr Dashin. Nuk e shikoj dot veten tek ajo parti dhe ai koalicion”, tha Valteri në Shqip show.