Mbrëmja e dytë e Zlatan Ibrahimoviç në Festivalin e Sanremos doli të ishte plot me kthesa. Këtë herë asgjë nuk u përgatit, sepse ylli i Milanit nuk mund të parashikonte se çfarë do të ndodhte. Mbërriti vonë në Ariston për shkak të një aksidenti rrugor në “A10”, i cili e pengoi Ibrën të merrte pjesë në transmetimin e drejtpërdrejtë të “Rai”, së bashku me Amadeus, në kohën e caktuar.
“Ishte një aksident në autostradë, – tha sulmuesi, sapo u ngjit në skenë. – Pas 3 orësh i thashë shoferit: më lër të zbres. Gjeta një motoçiklist dhe i kërkova të më shoqëronte për në Sanremo. Për fat të mirë ai ishte një tifoz i Milanit. Unë jam ende pak si me nxitim. Kam edhe videon. Kam bërë 60 kilometra me të në motoçikletë”.
Hyrja e Ibrahimoviçit, pra, është shtyrë për rreth 2 orë. Pasi e ka kapërcyer këtë pengesë, Zlatan bën duet me mikun e tij, Sinisa Mihajlovic. Së pari midis kujtimeve dhe anekdotave, pastaj duke kënduar “Io vagabondo”. Sulmuesi kuqezi dhe trajneri i Bologna e kanë ruajtur miqësinë e tyre, e cila filloi në kohën e Interit, pas ndeshjeve në fushën e gjelbër si kundërshtarë.
“Filloi me një goditje me kokë në Juve-Inter, – kujton serbi. – Ibra ishte aq i zemëruar, sa më dha një goditje me kokë dhe doli me karton të kuq. Kur erdhi te zikaltrit, unë doja t’ia ktheja kusurin. Në fakt, u bëmë miq të ngushtë. Ne e tregojmë dashurinë tonë kështu”.
“Ai ishte gjithmonë i pari, që shkonte në stërvitje, – tha skandinaviani për mikun e tij serb. – Stërvitej edhe në palestër, ishte më muskuloz se ne futbollistët. Ai e gjuante goditjet e lira siç bëjmë ne me penalltitë, ose më mirë si penalltitë e mia të vjetra…”
Pastaj, kujtime të bukura nga Sinisa: “Zlatan më ka zili, sepse kam fituar Ligën e Kampionëve, ndërsa ai jo. Ai e luajti këtë kompeticion, unë e fitova”. Dhe Ibra që reagon me humor: “Kam ende kohë…”
Pyetja e radhës për suedezin: “Kundërshtari më i fortë, me të cilin je përballur?” Mihajlovic, Paolo Maldini, i cili ka qenë gjithmonë i sinqertë. Pastaj Chiellini, i cili stimulon shumë”, – tha 39-vjeçari.
Mihajlovic foli gjithashtu për betejën e tij të fituar kundër leucemisë: “Ishte një sëmundje e pabesë, e cila më ndryshoi jetën. Në fillim ndjeva goditjen e madhe psikologjike, pastaj shkova në spital dhe isha i bindur se do të fitoja. Në fund doli se kisha të drejtë”.
“Kur dëgjova lajmin, – zbuloi Ibra, – nuk kisha forcë të të telefonoja dhe të flisnim. Përkundrazi, ishte ai që më dha energji, duke më thënë se ishte mirë dhe se do ta kalonte këtë problem të vogël… Ai më dha shpresë, atë që normalisht ua jap të tjerëve. Unë i thashë: Nëse mund të bëj diçka, do të të ndihmoj në çdo mënyrë. Dhe Sinisa m’u përgjigj: Më duhet një sulmues që shënon sa ti”.
“Unë e kuptoj zgjedhjen e Zlatan, – nënvizoi Miha në fund, para duetit të këndimit, referuar përgjigjes “jo” ndaj Bologna të sulmuesit suedez. – Edhe për Bologna do të ishte turp ta kishe atë, pa i pasur tifozët në stadium”.