“Veni Vidi Vici”. Ose më saktë, “jag kom, jag såg, jag erövrade”. Një aventurë e shkurtër, por intensive dhe e suksesshme. Zlatan Ibrahimovic dhe Manchester United, një “martesë” që zgjati më pak sesa pritej, por që la gjurmët e saj në historinë e klubit anglez. Një kooperim që zgjati 18 muaj, një sezon (gati) i plotë, tre trofe në vitrinë, përfshirë Ligën e Europës 2016-2017. Pikërisht në “Europa League”, Ibra do të sfidojë të kaluarën e tij, këtë herë me fanellën e Milanit të dashur.

Pasi humbi ndeshjen e parë të këtij raundi në “Old Trafford”, që përfundoi në barazimin 1-1, për shkak të problemit të muskujve, i cili e detyroi të rrinte larg fushave rreth dy javë, Zlatan bëri gjithçka që të ishte në dispozicion për sfidën e sotme në “San Siro”. Kthimi me “Djajtë e Kuq” konsiderohet një udhëkryq i mundshëm i sezonit për ekipin e Pioli. Suedezi 39-vjeçar do të jetë në gjendje të përballet me ish-skuadrën e tij, nga e cila u largua pikërisht tri vite më parë.

Përvoja e tij në Angli ishte një përqendrim emocionesh, një udhëtim i hidhur, i ndikuar keq nga dëmtimi i rëndë, që e detyroi atë të përfundonte sezonin e tij të parë, deri atëherë absolutisht të jashtëzakonshëm, dhe të jetonte sezonin e dytë me mjaft problem; të ndërprerë në mars 2018, me përfundimin e kontratës dhe zgjedhjen për t’ia rifilluar nga MLS.

I dëshiruar fort nga José Mourinho, në verën e vitit 2016, Ibra zgjodhi Manchester United si klubin e ri, pasi u bë një hyjni në Paris. Numri 9 i “Djajve të Kuq” kaloi nga supet e Martial (blerë një vit më parë për 80 milion euro) tek gjiganti suedez. Dhe ndikimi i Zlatan në futbollin anglez është e panevojshme të thuhet, shkatërrues: debutimi në “Wembley”, ku luhej finalja e “Community Shield”, dhe menjëherë gol vendimtar kundër Leicester, për të festuar trofeun e parë. Një debutim ëndërr.

Në tërësi, 28 gola do të shënohen nga Ibra në sezonin e tij të parë anglez (rekord për një lojtar të Manchester United nga 2013-2014 deri më sot), me një kupë tjetër të ngritur në qiell, si protagonist absolut, në sajë të triumfit në finalen e Kupës së Ligës kundër Southampton. E vetmja finale, që ai do të duhej ta shikonte si spektator ishte ajo e “Europa League”, për shkak të këputjes së ligamentit të kryqëzuar të përparmë dhe të pasmë në gjurin e tij të djathtë, në ndeshjen kundër Anderlecht, në prill.

Një dëmtim që në moshën 35 vjeç do të rëndonte mbi këdo, por jo mbi Zlatan, i cili thjesht nuk dëshironte të dëgjonte për “pensionimin”. Shtatë muaj të gjatë pritjeje, pune dhe rehabilitimi, para se të kthehej në fushë, në nëntor 2017, kundër Newcastle. Por, tashmë Manchester United kishte ndryshuar fytyrën dhe protagonistët. Mbi të gjitha, ndryshoi qendërsulmuesin dhe numrin 9 (fanella për të qenë e sinqertë u lëshua, pasi kërkoi “leje” nga Ibra). Prania e Romelu Lukaku, së bashku me përkeqësimin e problemeve në gju, e shtyjnë Zlatan larg vëmendjes, deri në lamtumirën pothuajse të pashmangshme nga “Teatri i Ëndrrave”, tre muaj përpara skadimit të kontratës.