Dëmtimi muskulor do ta mbajë larg fushave të futbollit për disa javë, por Zlatan Ibrahimovic ka udhëtuar drejt Sanremos, për të marrë pjesë në festivalin tradicional të këngës, ku do të jetë i ftuar fiks në të gjitha netët. Ditën e sotme 39-vjeçari ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka folur edhe për zënkën me Romelu Lukakun në ndeshjen ndaj Interit dhe ka pranuar se nuk e ka aspak problem t’i japë dorën në Sanremo.
“Nuk kam asnjë problem personal me Lukakun. Ato që ndodhin në fushë, mbeten aty, ndaj nëse dëshiron është i mirëpritur në Sanremo. Është një eksperiencë e re për mua dhe nuk e di çfarë më pret, megjithatë jam i sigurt që do të argëtohemi shumë. Sigurisht që më mirë do të ishte të luaja futboll dhe të shënoja gola”, u shpreh suedezi.
Prezantuesit e Sanremos, Amadeus e Fiorello janë tifozë të deklaruar të Interit, ndërsa Ibra zbulon edhe një prapaskenë interesante me të dy, teksa shprehet i bindur që festivali këtë vit do të thyejë rekordet e audiencës. “Fiorello e Amadeus janë tifozë të Interit dhe për 6 muaj nuk më telefononin fare, ndërsa tani më kujtojnë çdo ditë që janë në vendin e parë. Me ta jam në duar të sigurta në skenë dhe e di që më kanë thirrur për të thyer rekordet e audiencës”, deklaroi Ibra.