Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla falenderoi sot sipërmarrësin Gjergj Luca, i cili afro 6 vite më parë e pranoi ftesën tonë të investojë në Elbasan më shumë se 15 milionë Euro dhe të punësojë të paktën 1500 punëtorë deri më tani.

Balla ndau një video nga investimet që janë realizuar nga Luca në Elbasan të cilat kanë nxitur punësimin.

“Kjo video është përgjigjja më e mirë dhe dallimi i qasjes mes nesh dhe atyre që kanë për program dhunën dhe grabitjen e sipërmarrjes private. Mirënjohje çdo sipërmarrësi shqiptar që krijon vende pune dhe prodhon mallra “Made in Albania””, tha Balla.

“Askush nuk investoi mbi këto gërmadha deri në 2015. Vizion, investim, punësim, ekonomia e shumë familjeve. Por sot, sulmohemi në emër të një oligarkie imagjinare. Nëse edhe punësimi sulmohet kështu çfarë tjetër ka mbetur”, thuhet në video.