Kryeminstri Rama është shprehur nga Kukësi se në këtë qytet ka një tifozllëk të verbër, duke theksuar se nuk mund të jesh tifoz i një partie, siç je me një skuadër futbolli.
Gjatë prezantimit të ekipit të kandidatëve socialistë të Kukësit, kryeministri tha se me emra si Saliu, Iliri e Monika, nuk shkohet gjëkundi. Ironi pati edhe me kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi.
“Këtu jemi në Kukës dhe ka një tifozllëk të verbër. Të jesh tifoz i verbër në ato 30 minuta kur luan skuadra jote është okay. Kukësi me Barcelonën, je me Kukësin, me Juventusin je me Kukësin. Kur mbarojmë ato 90 minuta jeta vazhdon. Në atë që vazhdon nuk mund të jesh tifoz i një partie, siç je me një skuadër futbolli. Një parti që bën të humbasësh shanse, të humbasësh mundësi, kohë dhe vite ndikon në jetën tënde drejtpërdrejtë.
Është shumë e habitshme me tifozllëkun partiak sepse normalisht sipas meje kur njeriu në këtë kohë që nuk është koha e dikurshme e fanatizmave politikë, por është një kohë prakticiteti, njeriu kur voton duhet të bësh një zgjedhje. Është njësoj si zgjedhja kur bën për hidraulikun kur ke probleme në shtëpi. Ti përpiqesh të zgjedhësh atë që ta bën më mirë punën, nuk nisesh me kë është. Kështu duhet të ndodhë. Nëse shohim skuadrat edhe në Kukës është habi si mund të zgjidhet skuadra tjetër.
Nuk dua të hyj në emra se dalin e teprojnë ata që janë udhëheqja e skuadrës konglomerat që kemi përballë, që nga Saliu, te Ilir, Monika, Mediu, Idrizi, Gon Duka, Mesila, Nard Ndoka, Paloka, domethënë ku shkohet me këta emra. Dulja, është hata e madhe. Vetëm për punë nuk janë se po të ishin do e kishin treguar. Dakord për të pirë një gotë me ullinj, natyrisht që Dash Shehi është i lezetshëm, por deri te gota e dytë, jo te gota e tretë se nuk kuptohet”, tha Rama.