Nga Altin Ketro/ I pari dhe i vetmi deri më sot që e futi fjalën “Kazan” në identifikimin e programeve specifike televizive me të ftuar në studio që debatojnë fort me njëri tjetrin, kryesisht për çështje të politikës, është kryeministri Rama. Ka kohë që ai e ka hequr nga fjalori i tij këtë shprehje, por efekti në publik ka mbetur dhe shpesh, kur njerëzit komentojnë nëpër rrjetet sociale, i drejtohen me fjalën “Kazan” një medie të caktuar.
Në pamje të parë duket sikur fjala “Kazan” është një shpikje e Ramës që e nxori nga hiçi. Gjithkush mund të mendojë se ai me këtë fjalë do që t’i fyejë mediet duke i krahasuar në ligjëratë të drejtë me “kazanin”, i cili është një “enë e madhe prej bakri ose alumini, e rrumbullakët dhe me dy veshë, që shërben për të zier ujë, ndërresa, gjellë, raki, etj”. Kështu përcaktohet kjo fjalë nga fjalori i gjuhës shqipe.
Por kryeministri Rama, si njeri i lexuar që është, kur i drejtohej medieve si “Kazan” nuk ka pasur si qëllim shprehjen që citova më lart e që të gjithë kanë pandehur. Them “të gjithë”, sepse deri më sot nuk kam ndeshur askënd që ta trajtojë ashtu siç në të vërtetë duhet.
Mos u çudisni, por nëse ka “fajtor” për fjalën “Kazan”, ata janë baballarët e gjuhës sonë shqipe. Pikërisht ata të cilëve u referohet edhe Rama.
Ja se si e shpjegon ndryshe fjalori i gjuhës shqipe kuptimin e fjalës “Kazan”: “Vendi ku zhvillohet vazhdimisht një veprimtari e ethshme, ku zien lufta e mendimeve etj.; vendi ku përpunohet një mendim për të mashtruar të tjerët, burimi nga lind dhe përhapet një trillim, një shpifje etj.”
Në jo pak raste, emisionet televizive të mbrëmjes janë bërë zëdhënës të këtij përcaktimi të saktë që i ka bërë fjalori i gjuhës shqipe. Janë përmendur prej të ftuarve aty, në një kohë të caktuar, të ashtuquajturat fakte të cilat, më pas, koha ka treguar se kanë qenë thjesht trillime dhe shpifje. Ama, po ata drejtues emisioni, e po ata të ftuar që e kanë nxjerrë shpifjen nga goja, nuk kanë reaguar më pas me një ndjesë publike për papërgjegjshmërinë që kanë treguar.
Rasti më flagrant, ndër shumë të tjerë, ka qenë telenovela “Babale”, me një personazh të neveritshëm i rekrutuar tek llumi i qytetit bregdetar nga një tjetër personazh i pës htirë që mbante edhe “spaletat” e përfaqësuesit të popullit opozitar dhe që atë mandat shumë të nderuar, e përdorte për maskarallëqe montimi zërash tjetër për tjetër, vetëm e vetëm që nëpërmjet komplotit, i cili merrte shtysë nga SHQUP-i, të bënte pis një personalitet të lartë publik e politik, ish-ministrin e Brendshëm Xhafaj.
Ndaj, rrini të qetë dhe mos merrni kot kur dëgjoni fjalën “Kazan”. Nuk është fjalë e huazuar, nuk është fjalë e shpikur, nuk është aspak fyese. Është thjesht një citim domethënës nga fjalori ynë i gjuhës shqipe dhe që përmbledh më së miri brenda saj, realitetin që ndodh shpesh nëpër studiot e debatit televiziv. Shpresoj që pas këtij sqarimi, askush të mos kompleksohet më kur të identifikohet me “kazanin”. Nuk bëhet fjalë për atë enën e rrumbullakët me dy veshë, por për një lloj “Salianjizimi” të debatit politik. Ndoshta kështu duhet identifikuar tani e tutje debati që ka thelbësor shpifjen dhe trillimin.