Jurgen Klopp nuk ka mundur ta përmbajë veten kur është pyetur për paraqitjen e lojtarit të vet Nat Phillips në fitoren e Liverpoolit kundër RB Leipzig të mërkurën mbrëma, duke e lartësuar atë dhe duke u shprehur tejet i lumtur me lojën e tij të shkëlqyer. Mbrojtësi 23-vjeçar doli në sipërfaqe këtë sezon në Liverpool për shkak të mungesës së gjatë të bashkëlojtarëve të tij, Virgil van Dijk, Joe Gomez dhe Joel Matip, shkaku i lëndimeve.

Phillips e ka pranuar se priste të huazohej në Championship këtë sezon – në kategorinë e dytë të futbollit anglez – por të martën luajti në Ligën e Kampionëve dhe u përkujdes që Liverpooli të mos e pranoj asnjë gol në fitoren 2:0 në Anfield kundër gjermanëve. Kjo ishte ndeshje debutuese për qendërmbrojtësin anglez, pasi në fillim të sezonit nuk ishte i regjistruar të luajë në këtë garë.

Klopp ka mbetur i mahnitur me paraqitjen e tij në qendër të mbrojtjes. “Oh Zot, çfarë djaloshi është ai, çfarë lojtari është ai, çfarë nate për të, absolutisht madhështore”, tha Klopp për Phillips pasi Liverpooli i tij kaloi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Niveli i përqendrimit që ai po shfaq çdo javë që prej se luan për ne është absolutisht i jashtëzakonshëm. Ai po i bën gjërat e duhura në çastin e duhur. Në ajër ai është bishë”, shtoi ai.