Nga Dritan Hila

Me një ceremoni e cila përpiqej të risillte atë të prillit 2013 kur Rama dhe Meta firmosën koalicionin që do të largonte Berishën, Kryemadhi dhe Basha firmosën marrëveshjen për aleancë kundër Ramës. Spektaklit dukej që i mungonte talenti i regjisorit dhe në vend të përfaqësuesve të së majtës evropiane që ishin para tetë vitesh në Shkodër si noterë të marrëveshjes, këtë radhë ishte Gaz Bardhi, Tit Vasili dhe nëpunës të tjerë të dy partive. Kohët evoluojnë por pas 8 vitesh ky koalicion i ri ku në vend të PS është PD, vetëm i ri nuk duket.

Basha nuk ka fantazinë e Ramës dhe as lidershipin e tij. Në tetë vite nuk ia doli të ikte nga sqetulla e Berishës. E shumta që mund të thonë dashamirësit e tij, përfshirë Berishën, është cilësimi si djalë i urtë. As Kryemadhi nuk ka lidhje me Metën dhe prerjen e tij. Edhe ajo ka pasojat e rritjes në hijen e bashkëshortit. Ndërsa Meta vetë, bashkë me peshën duket se ka humbur edhe lëngun politik.

Garnitura është po ajo. Ose ndryshe, koalicioni: Dulja që s’dihet sa grekë përfaqëson; Shpëtimi që nuk di sa çamë e votojnë; Mediu që nuk di sa republikanë ka në radhë; Duka që ende nuk ka ndezur partinë pas tetë vitesh në garazh; Ndoka dhe kristianët e tij që aq sa janë nuk dinë nga të shkojnë më parë; dhe Dash Shehi që shikon sesi po tretet Tirona nën peshën e jabanxhinjve e bashkë me ta është vota e tyre.

Ata aty kanë qenë gjithmonë. Dhe dy herë rresht kanë humbur përpara makinerisë së majtë e cila ka një vit që vaiset dhe i shtrëngohen bulonat për një fitore të tretë. I ka futur në radhë Edi Rama i cili për herë të tretë do iu tregojë që nuk ka nevojë as për Metën dhe as për aleanca që të fitojë. A do ia dalë? E gjitha ngjan me një film të parë. Është ai filmi ku garojnë një kalë i bardhë dhe një kalë i zi dhe dy spektatorë që e kishin parë disa herë filmin, prapë vazhdonin e vinin bast njëri për kalin e bardhë dhe tjetri për të ziun. Dhe tifozi i kalit të zi që humbte, i thoshte shokut të tij që tallej dhe i thoshte sesi nuk kishte vënë mend pasi filmi nuk ndryshonte: E di por këtë radhë i ziu më dukej më në formë.