Në aktivitetin e prezantimit të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit, në fjalën e saj përshëndetëse Evis Kushi e ka cilësuar pjesëmarrjen e saj në krye të listës së skuadrës si “një nder dhe privilegj shumë të lartë, por mbi të gjitha një përgjegjësi të madhe”. “Kjo përgjegjësi të bën të punosh me mish e shpirt, e zemër, jo thjesht për fitoren e Partisë Socialiste si qëllim në vetvete, por të punosh dhe të angazhohesh për të vazhduar betejat që ne kemi nisur së bashku” – tha Kushi.
Më tej ajo ka shtuar se “arsimi që duam” është një sfidë me të cilën ajo po jeton ditë e natë tashmë prej 5 muajsh. Sipas Kushit, beteja të tjera që duhet të vazhdojnë janë edhe ajo e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, beteja e vaksinimit për të mposhtur pandeminë e Covid-19, drejtësisë që duam, ringritja e ekonomisë, integrimi evropian, të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë. “Jam shumë e lumtur që së shpejti heronjtë tanë në vijën e parë, mësuesit, do të vaksinohen për të vazhduar normalisht procesin mësimor në shkollat tona”- u shpreh ajo ndër të tjera.
Duke shprehur motivimin maksimal për të punuar fort në drejtim të reformave, Kushi nënvizoi gjithashtu se ndjehet krenare që në listën përfaqësuese të Partisë Socialiste, si asnjëherë tjetër ka një përfaqësim dinjitoz të grave dhe të vajzave të Elbasanit.