Pas disfatës kundër Napolit, është koha që Milani të shohë përpara dhe të përqëndrohet në Europa League. Të enjten do të përballet me Manchester United në ndeshjen e kthimit të fazës së 1/16-ave. Stefano Pioli, i cili pas “knockout”-it kundër napolitanëve foli për ndikimin e madh që patën mungesat e shumta, mund të buzëqeshë për një rikuperim të rëndësishëm. Ismael Bennacer është kthyer në stërvitje me grupin dhe tashmë mund të futet në listën e lojtarëve për ndeshjen me “Djajtë e Kuq”. Nga ana tjetër, duket i vështirë riftësimi i shpejtë i Zlatan Ibrahimovicit. Suedezi u stërvit pjesërisht me shokët e tij të skuadrës, më pas vazhdoi me ushtrime të personalizuara.

Bennacer ka qenë jashtë që prej 13 shkurtit për shkak të një dëmtimi të muskujve, duke humbur pesë ndeshjet e fundit në kampionat dhe dy të fundit të Europa League.
Ibra mund të synojë ndeshjen e së dielës kundër Fiorentinës, por stafi i kuqezinjve të mos rrezikojnë djegien e fazave dhe të synojnë ta rikthejnë atë në 100% të formës direkt pas ndeshjeve të të përfaqësueseve.

Situata është e ngjashme për Mario Mandzukicin, që gjithashtu mund të kthehet në fushë vetëm pas pushimit. Romagnoli dhe Calabria gjithashtu bënë stërvitje të diferencuar. Gjendje e tyre fizike është në përmirësim e sipër, kështu që të dy do të përpiqen të shtrëngojnë dhëmbët për të qenë të disponueshëm kundër Manchester United.