Duke filluar nga data 11 Mars në orën 20 të mbrëmjes, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se do të vihet në zbatim plani i ri i menaxhimit të trafikut për Lotin 2 dhe Lotin 3 të Unazës së Re në Tiranë. Siç shihet nga pamjet semafori aktual në kryqëzimin e Astirit është zëvendësuar me një rrethrrotullim të ri provizor.

Pasi kalohet rruga “Aleksandri i Madh”, bëhet një devijim i rrugës “Teodor Keko” për të vazhduar në rrethrrotullimin e ri të përkohshëm tek pjesa mes semaforit dhe Bulevardit “Migjeni”. Ndërsa dalja nga Bulevardi “Migjeni” sipas ARRSH nuk do të ketë kalim në rrugën “Teodor Keko” dhe do të bllokohet në rrethrrotullimin pranë kryqëzimit me rrugën “Tom Plezha”.

Kalimi për në rrugën kryesore “Teodor Keko”, do të jetë i aksesueshëm vetëm nëpërmjet rrugës alternative “Engjëll Mashi” siç shihet në këtë hartë. Trafiku i automjeteve i cili vjen nga rrethrrotullimi Shqiponja do të kalojë me tre korsi nga 3metra secila në drejtim të “Astirit”. Punimet në këtë segment kanë nisur në fund të tetorit të 2020-ës dhe pritet të përfundojnë në fund të Marsit, duke i dhënë zgjidhje trafikut të rënduar në këtë zonë të kryeqytetit.