Në librin “Misioni im”, Lulzim Basha shprehet se një rol të madh për dashurinë ndaj Kosovës ka luajtur familja. Ai veçon burrin e tezes së tij, shkrimtarin Sulejman Krasniqi. Basha thotë se librat e tij patën rol të veçantë.
“Nga rrëfimet e gjyshes dhe bisedat familjare, Kosova ishte për mua një vend ideal, shumë afër dhe njëkohësisht shumë larg, me male të larta dhe me kulla kreshnikësh, të cilët ki shin ndërtuar jo vetëm imagjinatën por edhe identitetin tim. Një rol të rëndësishëm për mua kanë luajtur librat e letërsisë sonë patriotike të shkrimtarit Sulejman Krasniqi, burri i tezes sime” – thotë Basha në libër.
Deri këtu nuk ka asnjë pikëpyetje shkruan javanews, për aq kohë sa Krasniqi ka qenë një emër i njohur me kontribute të vyera në mësimdhënie dhe letërsi.
Por Lulzim Basha i cili shprehet në libër se e urrente diktaturën që në moshën 10-vjeçare dhe se e ka ndjekur një makinë “Aro” e Sigurimit kur ishte 16 vjeç, nuk shpjegon dot nga i ka lindur kjo urrejtje e madhe në vegjëli.
Për shembull, burri i tezes së tij, i nderuari Sulejman Krasniqi ka qenë një shkrimtar i dekoruar nga organet më të larta të diktaturës, raporton javanews. Ai ishte një shqiptar i Kosovës, i arratisur nga Jugosllavia dhe i shkolluar më pas nga regjimi i Enver Hoxhës.
Ja çfarë thotë enciklopedia për të ndjerin Sulejman Krasniqi:
Sulejman Krasniqi u lind më 7 dhjetor 1937 në Hoçë të Vogël të Rahovecin në Kosovë. U shqua për angazhimin e tij për çështjen kombëtare. U burgos nga regjimi serb për veprimtarinë e tij patriotike, ndërsa në vitin 1958 u arratis drejt Shqipërisë, ku kreu studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës.
Për shumë vite punoi si mësues në shkollat e mesme në Mat dhe Tiranë. Botoi shumë tregime dhe artikuj në shtypin periodik. Krasniqi është autor i një numri të madh romanesh, novelash dhe veprash eseistike të botuara në shqip, ndër të cilat veçohen romanet Mic Sokoli, Rebeli i Bajraqeve dhe Makthi i Hijeve, Prijësja e komitëve, Rrëfimet e majorit, drama dhe vepra publicistike.
Për kontributin në fushën e letrave, Sulejman Krasniqi është laureuar me “Çmimin e Republikës”, dhe është dekoruar me “Urdhrin e Punës” nga Kuvendi Popullor. U nda nga jeta në Tiranë më 16 korrik 2011.