Nga Vilma Bello, Deputete e Partisë Socialiste Vlorë
Këta gati dy muajt janë vendimtarë. Në bindjen time, janë dy muajt më të rëndësishëm të këtyre 30 viteve në Shqipëri dhe këtu nuk kam parasysh vetëm përfundimin e një gare zgjedhore të jashtëzakonshme për rrethanat ku mbahet e për ndikimin e gjithanshëm e të ndërlikuar, të pashmangshëm, në sistemin tonë shoqëror e politik.
Më në fund, ne do të shohim qartë dhe jo thjesht përmes numrave – ne do të kemi në shërbim frytet e një sipërmarrjeje madhështore të socialisteve, me vlerë jetëgjate për vendin. Përkatësisht, do të kemi fundin e një procesi kulturor që do të rindërtojë themelisht pamjen qytetërimore të alternativës politike në Shqipëri, sot në një krizë të rëndë e të thellë identiteti.
Pra, ndërsa PS e drejtuar nga Edi Rama do të fitojë qetësisht, do të vijojë të qeverisë, të sigurojë qëndrueshmëri, reformim e modernizim të vendit, Opozitës së sotme e të nesërme do t’i duhet të nisë rrugëtimin e vështirë për rindërtimin e identitetit të saj, deri sot, herë tra gjik e herë më shpesh grotesk e komik.
Ky është lajmi. Për këtë zgjedhjet meritojnë vëmendje. Ato shënojnë faza të caktuara të ecurisë politike, morale, ideologjike e, madje, qytetërimore të forcave që do të kërkojnë besimin e shqiptarëve. Mjaft të hedhësh një sy përtej konvencioneve a simboleve elektorale, në fuqinë misterioze të të cilave beson PD-ja, për të kuptuar çdo të ndodhë më 25 prill e më tej.
Ja sesi. U bë kohë që dëgjojmë sloganin e opozitës: Shqipëria fiton. Njëlloj zgjidhjeje mbi një sugjestion komunikativ që, të implikosh në fitoren e mundshme të opozitës interesa më të gjera se ato të votuesve tradicionalë të PD-së. Disa ithtarë propagandistë të opozitës janë entuziastë për të. Por, pikërisht këtu, shfaqet ngërçi gjuhësor i gjetjes: ai cakton një qëllim, një kontekst, por nuk prodhon asnjë funksion pragmatik. Thjesht, “ai që flet” nuk ka lidhje as me qëllimin e as me kontekstin – është si të bësh veten personazh rrëfenje e të presësh që të tjerët të besojnë se ti i ke atributet magjike të asaj bote të mrekullueshme e plot mundësi, të përrallës.
Për më tepër, kur përralla e llojit “Me ne fitojnë të gjithë”, tash në versionin “Shqipëria fiton”, është parë, dëgjuar e provuar në kurriz të shqiptarëve.
Slogani bëhet kështu një sajim paradoksal: bajraktari i fitores nuk jep asnjë shpresë se mund të përmbushë ato që thotë. Kryetari de jure i PD-së nuk është përballur kurrë me partinë e tij, nuk e ka kuptuar e nuk kupton ankthin e saj identitar, zallamahinë e saj ideologjike e strukturore, kaosin moral që e rrethon. Fshihet kur duhet në mejdan e lëshon berihanë pas pilafit. I gjithë procesi i brendshëm politik e organizativ i PD-së është kryer si nje cikël spazmash, diçka mes dembelizmit dhe hilesë.
Përballë tij e të tjerëve, Edi Rama është jo vetëm në epërsi. Është model për të gjithë. Pati forcën, kurajon, mbi të gjitha vizionin për t’u përballur me të vërtetat dhe për t’i dalë zot, qoftë edhe në rrafshin njerëzor, vetjak, procesit politik e organizativ të PS-së. Pati identitet të vetin dhe diti ta mishërojë në identitetin e partisë, pati vullnet dhe e vuri pa asnjë mëdyshje në funksion të punëve e reformave që u nxitën nga partia, motivoi dhe mbështeti njerëzit, pati projekt, shpërndau përgjegjësi dhe besim, pranoi me përkorësi historinë dhe përvojën e socialisteve.
Asnjë nuk e vë në dyshim praninë e një procesi politik në Partinë Socialiste të udhëhequr nga Edi Rama.
Por a ka nje proces politik në PD? Flas për një proces të mirëfilltë, jo për një dallgë euforie apo dalldi marketingu në prag të zgjedhjeve. Aty asgjë nuk lëviz e askush nuk flet. Njerëzit i bashkon lakmia dhe urrejtja. Hija e rendë e Doktorit i ndjek si mallkim të gjithë ata që guxojnë të kenë identitet. Të gjithë presin që koha të punojë për ta e plaken duke u bishtnuar punës e përgjegjësive. Nisen e nuk dinë se per ku; pa bosht ideologjik e pa koherencë morale. Për fat të keq, kjo është pamja e një ndërmarrjeje të falimentuar që shpërndan lëmosha shprese, si i famshmi 60%-sh në fillim të viteve ’90. Edi Rama është në epërsi, sepse, ndërsa ai merret me punë, opozita merret me Edi Ramën dhe ministrat në rrafshin njerëzor, braktis parlamentin, shfaqet nëpër panaire protestash pathetike. Halle meskine e inate të vogla shpërthejnë aty-këtu e pastaj shuhen…
Dhe ç’arrin Opozita? I shton një punë me shumë Edi Ramës, njeriut që nuk përton të punojë. Kaq. Kështu mbërrijmë në 25 prill, në përballjen e dy forcave që shënjojnë dy procese e njëkohësisht dy kultura mendimi e veprimi, dy prirje qytetërimore.
Njëri prej tyre, i drejtuar nga Edi Rama, i pjekur, punëtor e me frymëzimin e modernitetit, tjetri i drejtuar nga s’dihet se kush, në krizë të plotë identiteti.
Ja me kë fiton Shqipëria!