Sot është mbajtur seanca e radhës plenare dhe janë miratuar dy akte normative, një projektligj dhe një projektvendim. Dy aktet normative të miratuara ishin: akti normativ nr. 4, datë 05.02.2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021” dhe akti normativ nr. 5, datë 12.02.2021 “Për disa shtesa në ligjin nr.105/2014. “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” të ndryshuar”.

Ky i fundit shton Mbretërinë e Bashkuar në listën e vendeve të përcaktuara në ligj, si vende nga të cilat mund të sillen barna në Republikën e Shqipërisë.

Projektligji i vetëm i shqyrtuar dhe i miratuar ishte “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si autoritet kontraktues, dhe dy shoqërive “Për një ndryshim në marrëveshjen e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.123/2013”, të ndryshuar”.

Ky projektligj, lidhet me vendimmarrjen e qeverisë shqiptare, për shtyrjen me 100% të pagesës së çdo kësti mujor të tarifës së shërbimit të secilës pikë operimi për muajt shtator, tetor, nëntor nga Tarifa Vjetore e Shërbimeve të Pikës së Operimit për vitin 2020 si dhe shtyrjen e pagesës së këstit të prapambetur në muajin gusht dhe mosaplikimin e penaliteteve apo të interesave mbi këto këste, ardhur pas miratimit dhe aplikimit të një sërë shkurtimesh drastike të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë vitit të shkuar, midis të cilave u pakësua edhe pagesa koncesionare e vitit 2020 për Rapiscan në masën 400 mln lekë. Kompania i pati sjellë dy propozime të mëparshme qeverisë, por u dakordësuan për të tretin, që në votimin e sotëm mori 81 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenime.

Ndërsa, projektvendimi i miratuar në seancën e sotme ishte “Për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”, për të cilën Kuvendi votoi si kryetar të KDRTSH-së Leka Bungo me 77 vota.

Lidhur me aktin normativ nr. 4, deputetët e shumicës qeveritare dhe disa diskutantë nga grupet parlamentare të opozitës parlamentare, e mbështetën, nisur nga argumentet e forcimit të procesit zgjedhor dhe përmbushjes së rekomandimeve të ndërkombëtarëve, për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje.

Duke qenë se KQZ e kishte të pamundur ta përballonte nga buxheti i saj këtë teknologji, buxheti i shtetit bën shtimin me 2.42 miliardë Lekë, për të financuar projektin “Për identifikimin elektronik të zgjedhësit”. Ky investim, siç bënë me dije kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Angjeli, si edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, nuk ndikon në parametrat makro, në borxh apo në deficit dhe mbështetet mbi pritshmëritë optimale të vitit 2021, që do të realizohen nga të ardhurat e tatueshme. Ky akt normativ u miratua me 83 vota pro, 13 kundër dhe 3 abstenime.