Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, i ka të gjitha shpresat në superyllin e skuadrës së vet, Cristiano Ronaldo, për ta arritur një përmbysje tjetër në Ligën e Kampionëve, sonte kundër Portos. Juventusi e humbi 2:1 ndeshjen e parë në Portugali dhe e pret Porton në Torino me synim për ta përmbysur rezultatin në mënyrë që ta sigurojë një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve

Pirlo e pushoi Ronaldon në fitoren e bardhezinjve 3:1 kundër Lazios të shtunën në Serie A dhe thotë se portugezi është i gatshëm për sfidën me klubin e atdheut të vet. Ronaldo njihet për golat e shumtë dhe ndeshjet madhështore në këtë fazë të kësaj gare, prandaj Pirlo beson se ai do ta bëjë sërish dallimin për t’i ndihmuar Juventusit të kalojë tutje.

“Këto lloj ndeshje janë bërë për Cristianon dhe ai është i motivuar dhe ka qenë në gjendje të pushojë disa ditë”, tha Pirlo para ndeshjes. “Është një ndeshje vendimtare, është sikur finale, por njëjtë do të jetë edhe për Porton. Duhet ta përmbysim rezultatin negativ nga ndeshja e parë, duhet të japim gjithçka nga vetja”, shtoi ai.