Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informuan sot se duke nisur nga dita e enjte ora 08:00 në mëngjes, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të realizohen punime në rrugë.
Punimet konsistojnë në riparime te shtresës asfaltike dhe të elementëve të sigurisë rrugore në segmentin rrugor Spille–Bishti i Zhurit (Rrethrrotullimi i Rrogozhinës) në të dyja drejtimet.
Gjatë kryerjes së punimeve qarkullimi i mjeteve do të jetë me shpejtësi të reduktuar dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.
Punimet planifikohen të realizohen gjatë harkut kohor: prej datës 1 prill deri më 8 prill, kjo edhe në varësi të motit.
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe menaxhimit të trafikut për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor, respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur, rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.