Para zgjedhjeve të 2017-s, Agron Gjekmarkaj ishte një ndër zërat mediatikë me pro Lulzim Bashës. Por, pasi ky i fundit nuk e kandidoi për deputet, Gjekmarkaj nisi një seri shkrimesh kundër Lulzim Bashës, duke nisur nga gara qesharake e tij përballë Jemin Gjanës, deri tek thirrja që PD-në ta merrte sërish Sali Berisha, pasi me Bashën kishte prekur fundin.
Gjekmarkaj me të drejtë kërkonte atëhere dorëheqjen e Lulzim Bashës, pasi PD-së i kishin firuar jo pak, por 200 mijë vota. Katër vite më pas, Gjekmarkaj sigurisht mendon ndryshe, pasi këtë radhë Basha e ka kandiduar për deputet.
Por, duke marrë shkas nga debati i mbrëmshëm me Patozin, po sjellim disa pasazhe shkrimesh të Gjekmarkajt, i cili atëhere shprehej se nuk është majtizëm të kritikosh Bashën, ndërsa sot ata që e bëjnë këtë gjë, i akuzon se i shërbejnë Ramës.
“Ai habiti gjithkënd që i thotë bukës bukë dhe ujit ujë me qëndresën që po i bën dorëheqjes. Relativisht i ri, 43 vjeç i shkolluar mirë në Holande, vend ku tërmete kësisoj të fshijnë përjetësisht nga politika, Lulzim Bashës në ballë i është fryrë delli ballkanas i kapjes mbas karriges dhe pushtetit me çdo kusht.
Ai duhej të dorëhiqej kokulur e me një mijë ndjesa dhe të hynte në garë i dorëhequr, në mos të strukej për disa kohë në pritje të moteve më të mira. Pas këtij morti politik, një garë e lirë, e ndershme, me kohën e nevojshme, me një platformë konkrete ringritjeje, çliruar nga të gjitha hijet e një procesi të manipuluar do të ishte i vetmi balsam për shpirtrat e tranuar të mijëra demokratëve.
Çdo formë tjetër, me gjithë staturën tepër të lartë të seriozitetit të Jemin Gjanës, i cili po bën përpjekje titanike të na mbushë mendjen për ndershmërinë e këtij rituali, të lë shije uzurpimi. Një garë kësodore do të ishte zami që do të shërbente për ngjitjen e një çarjeje të madhe që po përvijohet. PD së nuk i nevojitet thjesht një kryetar i ri, por një identitet i ri, për t’i mbijetuar kohës” ka shkruar Gjekmarkaj.
“Sali Berisha për 13 vjet e mbajti PD-në në pushtet dhe për 10 vjet të tjera u soll si shtet më vete pa e negociuar kurrë pozicionin e vet diktues. I bëri shumë të mira madhore Shqipërisë, sigurisht edhe dëme nga ato që nuk dalin dot kujtese sa do që t’i shtysh. Më i fundit po fillojmë të dyshojmë se është dhurimi i trashegimisë L. Bashës. Ai i thau të gjitha bimët përreth “lules” sa të shkëlqente veç ajo, si “manushaqja” e Naim Frashërit.
Kësaj radhe PD-ja e Bashës ka shënuar risi të plotë. Ajo, në asgjë nuk përputhet me historinë e vet tradicionale, madje as me veset, ndonëse s’kemi të bëjmë as me inovacion apo modernizim, por thjesht me ndërrim letrash në hipotekë, si për të përvetësuar një pronë. Listat për të cilat u tha se dhanë kontribut, veç Bashës, edhe persona të familjes, biznesmenë etj (kjo mbetet ende për t’u vërtetuar), fushata romantike ndaj Ramës e, mbi të gjitha, menaxhimi i humbjes, shfaqen para nesh një Lulzim Bashë të panjohur më parë, një tjetër që na nuk dihet kë bën me faj, ne që nuk e njohëm, apo atë që aktroi kaq bukur duke alternuar zotin Xhek dhe doktor Haidin.
Kjo nuk i përligj në hakërrim as një pjesë të grupit të kundërshtarëve të Bashës, të cilët luajnë karta puritanësh, sepse atë ndjesi e kanë humbur që kur morën postet e para. Disa syresh s’kanë asnjë kredo morale për të ofruar pos vetes për ta fshehur. Sa mirë do të bënin.
Personalisht e kam mbështetur Bashën për një kohë të gjatë, pa hezitim e pendim përballë një Kryeministri e pushteti tejet arrogant e kërcënues, deri sa Basha bëri marrëveshje me Ramën, jo pse bëri marrëveshje, por për pjesën e saj të parrëfyer që e shndërroi në subjekt qyfyresh, për listat si triumf i banalitetit, për goditjet ad personam, për fushatën pa shpirt, pa tharm, pa ide racionale, për arrogancën e përditshme pas katastrofës elektorale, për ligjërimin bosh e fyes në garën teatrale të këtyre ditëve, ngjarje këto, të cilat krijuan portretin e tij befasues e shqetësues. Një portret rrethuar me kukulla që mund të na bezdise, mund të na trishtojë, mund të na shkaktojë gaz, por që nuk ngjall më mëshirë.
Të kritikosh sot Bashën nuk është majtizëm, siç shprehen disa personazhe mediatike të dorës së tretë, por një përpjekje plot kokëçarje për të mos e parë opozitën e këtij vendi të administruar nga Engjëll Agaçi apo Taulant Balla, se Rama e quan punë të kryer. Këtë trazim e kanë të gjithë ata që me kujtesën historike një lidhje e kanë”, shkruante ai për Panorama.
“Në këtë pikë, Sali Berisha, i cili dukshëm do që të ketë një marrëdhënie me historinë, ka një detyrim. Ai me personalitetin e tij të fortë duhet t’ia marrë opozitën qeverisë dhe t’ia kthejë vendit, jo si kryetar, jo si i pavdekshëm, por si figurë karizmatike që mund ta bëjë këtë.
Berisha sot e kësaj dite i ka demokratët edhe ata 200 mijë që munguan në votime të mjaftueshëm për të bërë një opozitë të fortë dhe për t’u ringritur. Berisha mund të mbetet vetëm në sallë, por vetmia nuk e turpëron atë, aspak. Imagjinojeni atë të vetëm në Parlament dhe puthadorët e tij të deridjeshëm, duke e sulmuar në emër të koalicionit “Për Shqipërine Europiane”!?
Berisha thotë që është tërhequr. Kështu pat thënë edhe De Goli, por kur nevojat e Francës e thirrën, ai u kthye e mposhti egoizmin e tij. Berisha pat bërë thirrje për revolucion demokratik ndaj Ramës, por Basha i tij nuk e bëri kurrë.
Tani është koha që Berisha këtë revolucion demokratik ta bëjë në Partinë Demokratike për të shpëtuar pluralizmin dhe kthyer opozitën së djathtës e Shqipërisë njëkohshëm dhe menjëherë asaj një garë të vërtetë. Nëse një ditë Basha kthehet kokulur e me lot në sy si plangprishës të cilët i dalin pa vështirësi, pse jo, ta pranojë! Basha si vartës nuk duket keq.
Ky akt i mbramë shumë më tepër se ato që ia njohim Berishës si vlera do t’i kujtohej gjatë nga historia dhe historianët. Me kaq sa thamë, Sali Berisha nuk bëhet as më shenjtor e as më djall. Ai mbetet Sali Berisha me virtyte e cene, por gjithsesi një politikan me të cilin Edi Rama nuk luan dot, një politikan që mund të humbasë partinë dhe të fitojë mbështetësit e saj. Një politikan që di të bëjë opozitë si askush tjetër. Na mungon ky ekzotizëm. Ai ka punuar që të mbetet i vetëm, i pa krahasueshëm, dhe ia ka dalë. Ndaj sot i kërkohet të luajë atë rol që të tjerët afër skenës nuk kanë shpatulla ta mbajnë.
Nëse gjithçka luhet me dashjen e tij, atëherë thjesht kemi të bëjmë me një tepsi plot me mbeturina ….Kush të dojë le ta hajë. Hamleti thotë “diçka është kalbur në Danimarkë”, këtu mund ta përshtasnim gjithçka është kalbur. Të shpresosh nuk është mëkat. Come back (kthehu) Sali Berisha për të fundit herë, për pak kohë! Të presë mëshirën e Bashës apo të metaforës së Kunatit për herën tjetër nuk duhet të ketë qenë qëllimi i jetës së tij. Në këtë pikë duhet t’ia ketë zili Ibrahim Rugovës, i cili iku këso bote pa e parë krijesën e vet (LDK) të bastardhuar, forcë e tretë, të nëpërkëmbur nga “partizanët e rinj”!”, shkruante ai.
Ndërsa në një shkrim tjetër, Gjekmarkaj shkruante: “Basha dje me pak përjashtime, qe nuk i shmangte dot nga trashëgimia e pa shkatërruar ende e PD-së, shpërbleu disa personazhe, sa periferike, aq te diskretituar deri në kufijtë e komizmit të qeverisë Berisha në postet parlamentare.
Kjo ishte forma e tij për t’i shpërblyer ata për zellin që treguan me “kolaboracionizmin” e tyre gjatë “grushtit të shtetit” në PD.
Basha hodhi kockën në korridoret e PD-së. Disa u turren dhe e lëpinë me dalldi, rrezik t’i linte fryma nga tahmahi. Paçka se bënë një fushate elektorale dizastroze, duke humbur në çdo qark, ata u promovuan duke ndjekur akademinë sovjetike të Shkencave të Tiranës në rrokadën e posteve.
Ata mbështetën Bashën kundër personazheve me peshë, në atë formacion dhe tani Basha i mbështet ata kundër opinionit publik, që i përbuz.
Natyrisht kjo është zgjedhje e menduar mirë në rrugën drejt privatizimit të PD-së nga një person dhe një familje. Banaliteti dhe nënmedikroteti i saj natyrisht nuk janë shqetësimi i Liderit të shkrirë, përkundrazi, gëzimi dhe triumfi i tij.
Mesazhi është i qartë. Ne PD nuk vlen CV-ja…kontributi…historia familjare.. opozitarizmi ndaj të majtës.
Hiç asgje. Ato janë dokrra hinit. Mjafton të takosh njeriun e duhur, në mënyrën e duhur dhe Basha ta hap derën. Nuk ka rëndësi në je idiot, përkundrazi ajo është cilësi që çmohet shumë në PD.
Shikoni postet e reja që shpërndau Basha për t’u bindur për këtë. Natyrisht Lulzim Basha, i shkolluar jo keq si profesionist vite më parë, ka 12 vjet që përdor vetëm 120 fjalë si fjalor kulturor e politik.
Ata qe tejkëlojnë këtë shifër s’kane sy për qabe. Nuk e kishim vënë re edhe nga dëshira për ta mbyllur një sy kur zullumet e qeverisë socialiste s’kishin të sosur.
Tani na takon t’i hapim sytë se populli foli. Një tjetër gjë që ra në sy dje gjate emërimeve të Bashës ishte shpërfillja ndaj Halim Kosovë, një personalitet ky i mirënjohur i mjekësisë shqiptare, i cili ju bashkua PD-së gjatë “mbytjes” së saj, e për më tepër u ofrua për të bërë betejën e pamundur për Tiranën në verën e vitit 2015.
Basha me mirënjohjen që e karakterizon nuk e gjykoi të denjë për një post në komisionet e Kuvendit. Po ashtu dy profesorë, që vijnë nga mësimëdhënia, të vetmit që kuptojnë diçka aty nga arsimi dhe kultura nuk u përfshinë askund.
Një kumt i qartë si drita e diellit që vjen nga PD e re. I shkreti Sali Berisha. Si do i mbijetojë idiotësisë nëse nuk e ka ndjellur vetë???
Gramoz Ruçi një nga politikanët me seriozë të PS-së votohet per kryetar parlamenti. Personalisht ndiej keqardhje sesi një ish-minister i diktaturës ngjitet përsëri në kupolën e shtetit demokratik, ndërsa themeluesit e PD-së, këta burra “të këqij” enden rrugëve të mundur nga koha dhe Luli.
Propoganda e PD në këtë rast është farsë kur ajo i ka dëbuar ish-të persekutuarit politikë. Në atë grup parlamentar mbi 30 prej tyre mund të ishin rehat edhe tek PPSH.
Basha ka nevoje për zhurmë. Ajo është aleati i tij i vetëm, pa harruar “kolaboracionistet” në këto ditë, ku ai paturpësisht po sillet sikur nuk e rrënoi PD-në”./Tema