Nga Frrok Çupi/
Sot po qeshim, por nuk mund të qeshet me gjithçka. Qysh se mbaroi beteja e Ilir Metës, president, me Policinë, nisëm të qeshim. Tani kush do të kruhet me tjetrin, e kërcënon se ‘do të të bëhem Ilir Meta, ta dish!’; dikush që të do në kafe sa më shpejt, të sulet: ‘do të vish apo ta çova Ilir Metën!’. Por vetëm kaq, mjafton. Edhe një herë: Nuk qeshet me gjithçka! Në ngjarjet që po ndodhin mes nesh, e qeshura mund të fshehë ‘bombën’ që i shpërthen shoqërisë nesër, ose qysh sot. Pasi të qeshë, njeriu nis e bën pyetje:
A është politike kjo që po ndodh në politikë?
Po të ishte politike, atëherë presidenti i Republikës nuk mund të marrë turr prej zyrës së tij e të shkojë të rrahë policët në detyrë. Ministri i parë i Shëndetësisë në 1950, një partizan infermier, rrahu tre nxënës që kishin ngacmuar tri vajza; dhe kjo ngjarje nuk u harrua. Por ai i rrahu në zyrën e tij. Presidenti u shkoi policëve aty ku kryenin detyrën, madje i rrahu edhe në sy të të gjithëve. Në sy të të gjithëve edhe çatrafilloi fytyrën, zgurdulloi sytë, bëri pozat e frikshme të idiotit….
Kot e bëri?
A është vërtet ‘idiot’ Ilir Meta, apo bën sikur…?. Kjo është pyetja. Po Lul Basha, a është vërtet ‘idiot’ apo përshtatet aty ku e kanë vënë? Për shembull si e lëshoi veten e i shkoi në ndihmë presidentit që po shkelte ligjet dhe kryente marrëzi në publik?… Edhe këto janë pyetjet; pyetje që na thonë: ‘Kaq, boll qeshëm!’. Nuk është ‘ashtu kot’ që këta na bëjnë për të qeshur. Këta njerëz politik, politikën po e nxjerrin prej enës së saj. Por ku po e çojnë, ç’formë po i japin?
Politikën po e depozitojnë në një trajtë tjetër, në një frymë tjetër, në një sjellje tjetër. Procesi ka nisur në më shumë se dy dekada më parë, qëkurse ‘babai’ i këtyre, doktor Berisha, nuk mund të quhej më as demokrat, as komunist. Që në vitet kur Evropa e quajti qeverinë shqiptare (1996-97) një ‘qeveri gangsterësh’, që aty ishin sinjalet e para; fare mirë mund ta quanin ‘qeveri komuniste’ po të ishte qeveri politike. Që në momentin kur shteti shqiptar aplikoi skemën mashtruese në financa, të huazuar nga ‘Ponzi’ i viteve 1880, që në atë moment nuk ishte më as ‘demokrate’, as ‘komuniste’.
Politika qysh herët është transferuar në enën e Maf ies. Edhe akti më i fundit, i rrahjes së policëve nga presidenti i Republikës, është skenë e maf ies, jo e politikës. A nuk vini re se si politika ‘nuk ka çfarë i bën’ Ilir Metës? Po, sepse mafia nuk mund të kapet politikisht; kaq është.
A nuk e vini re pse u thërrit menjëherë Lul Basha i PD në sheshin e betejës kundër policisë që sapo kishte ‘gjakosur’ Ilir Meta? Ju mendoni se erdhi nga vullneti, ose i shtyrë nga zjarri politik? Jo. Lul Basha, që tashmë është identifikuar si ‘njeriu i amerikanëve’ në çerdhen e Mafies, u detyrua të shkonte në shesh- betejë, ndryshe do të asgjësohej si një leitnant i organizatës. Mafia ka piramidë fisnore dhe familjare, sidomos këtu në Ballkan. Lul Basha në atë moment hyri në organizatën që është jashtë- politike; dhe tanimë as që prononcohet dot politikisht. A nuk e dëgjuat sot në Shkodër kur tha se ‘do ta zhduk Covid-in”? El Chapo, i fundit si personazh mafioz, mburrej para punëtorëve të tij se ‘do të pushtonte Amerikën’.
Kjo ishte ngjarja e fundit që dëshmon se në ‘çerdhe’ punët shkojnë keq. Po asgjësohen leitnantë dhe po provohen ushtarë. Deri tani janë asgjësuar disa leitnantë. Deputetët PD-istë të lidhur ngushtë me liderin Berisha, papritur u lanë jashtë. Ata janë të gjithë dëshmitarë ose autorë të akteve mafioze, që nga kontrabanda shtetërore, kompania ‘Shqiponja’, vrasja e kundërshtarëve, Gërdeci, deformimi i pronësisë mbi pasurinë e shqiptarëve, bashkëpunimi me Millosheviçin në dëm të shqiptarëve, larja e parave të pista, etj. Këta lihen jashtë, sepse organizata shkarkon barrët, si kudo në mafie. Nëse ‘nuk sillen mirë’, atëherë punët shkojnë më keq për ish- deputetët me lidhje fisnore.
Prapë bëhen pyetje:
Pse ndodhi përleshja e militantëve në Elbasan, bash Ditën e Verës? Disa mendojnë se është fillimi i dhunës që këta do të ushtrojnë kur të humbin zgjedhjet. Jo, nuk është vetëm kaq. Këta e dinë se do t’i humbin zgjedhjet, por kjo nuk ka rëndësi. Do të kishte vlerë sikur të ishin ‘organizatë politike’. Por si organizata të mafies iu intereson ‘banko- prova’ e skemës. Skema ‘fisnore’ e mafies ( ku u përfshinë edhe dy zonja liderë të PD-LSI, si për të plotësuar familjen), nis te ushtarët, që janë militantët. Këta do të fitojnë shumë pak nga plaçka që do të fitohet, por bërtasin më shumë- si në çdo mafie. Në Elbasan ‘organizata’ krijoji garanci se ushtarët janë në punë.
Piramida që ngrihet mbi këta ka punë të tjera: Dy bosët- Berisha dhe Meta kanë aplikuar ligjin e ‘Omertës’, ata heshtin mbi planet tyre, ndërsa mbajnë fronin. Ata poshtë as që e dinë se çfarë do të ndodhë. Jo kot u aplikua skema ‘mos ndrysho asgjë nga sloganet që ishin! Mos e merr seriozisht vlerën e deputetit!’. Fito çfarë të mundesh edhe duke shitur vendet e deputetëve!”… Pamja është e qartë: ‘Në drejtimin tonë vjen Politika!, por nuk na kap se ne nuk jemi në atë rrugë, ne jemi tjetër gjë!’.