Policia e shtetit për shkak të mos respektimit të mbajtjes së maskës anti-COVID ka gjobitur 863 qytetarë, 100 prej të cilëve janë evidentuar teksa udhëtonin me automjete me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo me mjetet e transportit publik pa maskën mbrojtëse. Për sa i përket orës policore, 3 qytetarë e kanë shkelur atë dhe si pasojë janë gjobitur me masën administrative prej 10.000 lekësh. Policia i ka ngritur apel qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat anti-COVID për parandalimin e përhapjes së virusit në vend.
Njoftimi i plotë i Policisë: U konstatuan pa maskat mbrojtëse, ndëshkohen me masë administrative 863 shtetas. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 763 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 100 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 3 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00. Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.