Pas dorëheqjes pak ditë më parë të Bamir Topit nga drejtimi i Frymës së Re Demokratike, parti të cilën e krijoi dhe e drejtoi pas largimit nga posti i presidentit në vitin 2012, pothuajse e gjithë anëtarësia dhe strukturat e kësaj partie janë shkrirë. Menjëherë pas marrëveshjes që Sali Shehu firmosi me Lulzim Bashën për të bashkëpunuar për zgjedhjet e 25 prillit pa marrë më parë miratimin e strukturave të partisë, dorëheqja e Bamir Topit është pasuar me shkrirjen e strukturave të cilët kanë kundërshtuar këtë koalicion të ri.
Goditja më e madhe për Sali Shehun ka ardhur nga dega e FRD-së së Tiranës, e cila ka qenë dhe struktura kryesore e kësaj force. Duke filluar nga Kryetari i kësaj dege, Andi Seferi e gjer tek anëtarësia e thjeshtë, kanë firmosur dorëheqjet e parevokueshme duke u larguar përfundimisht nga FRD. Nga rezultatet e FRD-së në zgjedhjet e fundit, është pikërisht dega e Tiranës e cila i ka dhënë dhe votat kësaj force politike, ndërkohë që në Dibër ku pritet të kandidojë Sali Shehu nuk ka mundur të marrë asnjë rezultat. Me shkrirjen e degëve të FRD-së, koalicioni i vetëm i Lulzim Bashës është vetëm ai me Sali Shehun.